Sinjal pozitiv për ekonominë, ulen kreditë e këqija

Shkalla e kredive me probleme u ul lehtë gjatë muajit Prill në 23.8%, nga 24% që kishte qënë në fund të Marsit. Sipas të dhënave operative nga Shoqata Shqiptare e Bankave, përmirësimi i cilësisë së portofolit të kredisë u shoqërua me fitime mjaft të larta, që për katërmujorin kishin vlerën e afro 4.4 miliardë lekëve

Shkalla e kredive me probleme u ul lehtë gjatë muajit Prill në 23.8%, nga 24% që kishte qënë në fund të Marsit. Sipas të dhënave operative nga Shoqata Shqiptare e Bankave, përmirësimi i cilësisë së portofolit të kredisë u shoqërua me fitime mjaft të larta, që për katërmujorin kishin vlerën e afro 4.4 miliardë lekëve ose 31 milionë eurove. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fitimet e sistemit bankar janë rritur me afro tre herë. Arsyeja kryesore është pikërisht stabilizimi i nivelit të kredive me probleme, që nuk kanë regjistruar rritje domethënëse prej më shumë se një viti.

Shkalla prej 23.8% e kredive me probleme është madje më e ulët krahasuar me nivelin prej 24.2% që regjistrohej në të njëjtën periudhë, një vit më parë. Mosrritja e kredive të këqija ka ulur ndjeshëm shpenzimet e bankave për provigjione dhe ka ndihmuar në përmirësimin e rezultatit financiar. Stabilizimi i përqindjes së kredive me probleme, ndërkohë që totali i kredisë vazhdon të jetë në rënie, tregon se sasia e huasë në vonesë, në vlerë absolute, ka rënë. Nëse kreditimi do t’i rikthehet rritjes, me shumë të ngjarë shkalla e kredive me probleme do të mund të nisë të ulet.

Një tjetër faktor që pritet të ulë nivelin e kredive me probleme është edhe fshirja e kredive të humbura. Kreditë e humbura kanë vlerën e rreth 67 miliardë lekëve, ose afërsisht sa gjysma e sasisë së përgjithshme të kredive me probleme. Pritet që bankat të pastrojnë bilancet nga një pjesë e mirë e kredive të humbura, pas miratimit së fundmi të ndryshimeve në legjislacionin tatimor, për t’i njohur këto kredi të fshira si shpenzime të zbritshme.

 

/Enerida Malo/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar