Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Beder



Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

vrioni

Konferenca e tretë ndërkombëtare në shkencat humane me temë: “Dimensionet Socio-Ekonomike në ndërtimin e Paqes”

Konferenca e tretë ndërkombëtare në shkencat humane me temë: “Dimensionet Socio-Ekonomike në ndërtimin e Paqes”

0 Komentet 🕔16.05.2014 - 16:16

Universiteti Hëna e Plotë (Bedër), në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Universitetin IPEK në Turqi, organizoi Konferencën e 3-të Ndërkombëtare në Shkencat Humane me temë: “Dimensionet socio-ekonomike në ndërtimin e paqes”. Konferenca mblodhi akademikë dhe studiues nga 9 vende, të cilët referuan tema që lidhen me ndërtimin e paqes, duke  e parë këtë çështje nga dimensionet sociale dhe ekonomike.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Dr. Ayhan Tekineş, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “’Hëna e Plotë” (Bedër) e njëkohësisht kryetari i konferencës pasi i uroi mirëseardhjen referuesve dhe pjesëmarrësve shtroi rëndësinë e trajtimit të tematikave të tilla në kushtet e një bote konfliktuale. Ai u ndal në historikun e konferencës duke bërë një panoramë të temave të trajtuara në dy vitet e shkuara.

Rektori i Universitetit Hëna e Plotë (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana nënvizoi faktin se angazhimi i botës akademike dhe studiuesve në diskutimet shkencore rreth temave që kontribuojnë në zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes është një element i rëndësishëm për shoqëritë e kohëve tona.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm personalitete nga fusha akademike dhe universitare, deputetë dhe të ftuar të tjerë.  Punimet e konferencës u përshëndetën nga z. Genc Pollo, Kryetar i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe z. Pandeli Majko, ish- kryeministër, deputet i Partisë Socialiste.

Në fjalën e tij përshëndetëse z. Genc Pollo theksoi rëndësinë që ka përkushtimi universitar  jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në kërkimin shkencor, ashtu siç dëshmon kjo konferencë. Z. Pollo u ndal në rëndësinë që ka tema e konferencës në ditët e sotme.  Ai u shpreh se “Paqeruajtja ose paqebërja është një temë mjaft e rëndësishme për shekullin e 21, për të ndërtuar disa parime dhe disa metoda, në mënyrë që shoqëritë të jetojnë më shumë në harmoni, në stabilitet dhe me drejtësi sociale”.

Ndërsa z. Pandeli Majko, pasi bëri një rezyme të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, e parë kjo në kontekstin historik, theksoi se shoqëria shqiptare ka hyrë në këtë fillimshekulli të ri me një reflektim të vetëm, duke nënkuptuar harmoninë dhe paqen. “Ky reflektim është i pashmangshëm, duke pasur parasysh zhvillimet e marrëdhënieve që kanë pasur shqiptarët jo vetëm mes tyre, por edhe me fqinjët ballkanas.”- u shpreh ai.

Në konferencë referuan si folës kryesorë edhe anëtari i Akademisë Shqiptare të Shkencave Prof. Dr. Artan Fuga dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Suleyman Şah” në Turqi, Prof. Dr. Adnan Aslan.

Akademiku i shquar z. Artan Fuga referoi temën: “Mediat etnografike dhe diversiteti kulturor, si instrument paqeje”. Ai tha se “ndërtimi i marrëdhënieve të bazuara mbi paqen dhe mirëkuptimin midis popujve dhe kombeve është një proces i ndërlikuar dhe i vështirë. Po ta shohim me kujdes gjendjen në këto dekadat e fundit, realiteti flet se edhe në kushtet e lirive politike për qytetarët dhe kombet e etnitë brenda një shoqërie e një shteti, si edhe në marrëdhëniet ndërshtetërore, ka mundësira dhe rreziqe që krijojnë tensione ndëretnike dhe formësojnë parakushte për destabilizim  politik dhe lëkundje të proceseve paqësore të demokratizimit”. Profesor Fuga u ndal në modelet e komunikimit në një shoqëri multikulturore dhe multietnike, duke bërë dhe një klasifikim të këtyre modeleve.

Ndërsa Prof. Dr. Adnan Aslan referoi rreth temës: “ Feja dhe dashuria në filozofinë “ Rumi”.

Konferenca vazhdon punimet e saj më datat 16 – 17 maj, në sesione të ndryshme, ku do të prezantohen punime nga pjesëmarrësit.

/Erzen Carja/

Nuk ka Komente

Për momentin nuk ka komente!

Askush nuk ka lënë koment për këtë postim!

Shkruaj një koment

Adresa juaj e e-mail-it nuk do të publikohet. Plotësimi i fushave të domosdoshme është shënuar me shenjën *

Sondazh

A mendoni se reforma në drejtësi do të japë rezultatet e pritura?

View Results

Loading ... Loading ...

Fjalë e urtë

Ku ka tym,ka edhe zjarr