Konferenca e BERZH, Thaçi fton investitorët e huaj në Kosovë

0

“Ejani dhe investoni në Kosovë!” Kjo ka qenë ftesa që kryeministri Hashim Thaçi u ka bërë investitorëve të huaj gjatë ditës së dytë të konferencës së Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH).

Thaçi foli për arritjet e deritanishme dhe për sfidat e ardhshme të Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik. Ai u shpreh ndër të tjera, se rruga drejt Bashkimit Evropian do të jetë e gjatë dhe do të kërkojë ndryshime rrënjësore. Kanalizimi i të gjitha përpjekjeve dhe energjisë në zhvillimin ekonomik të vendit është, sipas kreut të qeverisë kosovare, një domosdoshmëri për ecurinë e procesit.

Kosova gjatë këtyre 5 viteve ka arritur të njihet nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së; ka përmbyllur suksesshëm mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë; ka arritur të ndërtojë marrëdhënie partneriteti me vendet më të fuqishme të botës demokratike; ka arritur që ekonomia të shënojë rritje mesatare ekonomike prej rreth 5 %; ka arritur të anëtarësohet në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Anëtarësimi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim paraqet një hap tjetër madhor. Anëtarësimi në këtë instrument financiar ndihmon në vazhdimin e zbatimit të projekteve madhore të Republikës së Kosovës në të ardhmen. Prandaj ju falënderoj për miratimin e Strategjisë për Kosovën, si dhe për investimet që parashihen në kuadër të strategjisë, posaçërisht në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe fuqizimit të sektorit privat”, ka thënë Thaçi gjatë fjalës së tij.

Kryeministri foli edhe për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë, duke e cilësuar atë si siguri për paqen, stabilitetin, dhe integrimin euro-atlantik të rajonit.

Kosova, përfundimisht, me marrëveshjen e arritur po hyn në epokën e normalitetit, sepse me shtrirjen e rendit dhe ligjit në çdo cep të shtetit tonë, do të kemi mundësi më të mëdha për investime, zhvillim dhe punësim, por edhe për krijimin e ambientit demokratik dhe shumetnik”, deklaroi kryeministri gjatë konferencës së BERZH.

/Romina Qama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here