Kim Mehmeti: "Jugosllavie e re" projekt përçarës

Projektet Mehmeti ka deklaruar se nuk është ndërmarrë ende asnjë projekt mbarëshqiptar vetëm për interesat e shqiptarëve. “Sot duhet të kishim shumë projekte mbarëshqiptare, që do mundësonin edhe veprim tonë si një popull. Por ndodh thuajse e kundërta! Më thoni një projekt mbarëshqiptar, të cilin e përkrahin të gjitha qeveritë e “Shqipërive” tona, e që ka të bëjë me mbrojtjen e interesit mbarëshqiptar? Më thoni pse Tirana e Prishtina zyrtare lënë përshtypjen se as që e dinë se ku ndodhet Shtëpia e Kongresit të Alfabetit? Më thoni, për shembull, pse pushtetarët në Tiranë e Prishtinë nuk heqin dorë nga darkat e drekat që i paguajnë me paratë e popullit, e që me ato para të ndërtojnë ndonjë shkollë në Luginën e Preshevës…? E din pse nuk ka projekte mbarëshqiptare: sepse sikur të ishte e mundur, ne do kishim aq Shqipëri sa edhe parti politike, sepse çdo “bajraktarokrat” yni, don të ketë shtetin e vet”, ka theksuar Mehmeti. Enver Hoxhaj: Nisma, e panevojshme Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se në takimin në Nju Jork, ku përveç ministrave të jashtëm të rajonit kanë qenë edhe ambasadorët e Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dhe Komisionari Evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle, është rënë dakord që të mbahet edhe një takim për t’u qartësuar se çfarë realisht është një iniciativë e tillë. “Prandaj debati në Nju-Jork, ka lëvizur rreth asaj që të ketë edhe një takim ku do të duhet të qartësohet çfarë është një iniciativë e tillë”, tha ai, duke shtuar se në këtë takim pala kosovare është angazhuar për ridimensionim e karakterit dhe funksionimi i kësaj nisme, që të evitohet formimi i një nismë me trupa legjislativë (Asamble Parlamentare) apo ekzekutive, pasi ato janë të panevojshme në kohën kur të gjitha vendet e rajonit kanë për synim integrimin në BE. Po ashtu, sipas tij, debati ka lëvizur kah pikënisja se një iniciativë e tillë duhet të jetë joformale, joinstitucionale dhe që duhet të jetë në funksion të plotësimit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Propozimi i ri i palës shqiptare Propozimi i ri parashikon që kryeqendra e Shqipërisë, Tirana, të jetë kryeqytetit i Unionit Ballkanik, në respekt të hartës demografike të gjashtë vendeve, konkretisht Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnje Hercegovinës. Burime pranë Ministrisë së Jashtme, bëjnë me dije se pala shqiptare dhe kosovare nuk janë kundër propozimit të Malit të Zi për krijimin e Unionit Ballkanik, por është kërkuar që për vendndodhjen e Parlamentit të përbashkët të gjashtë vendeve, të respektohet përkatësia e shumicës së deputetëve të këtij Parlamenti. Më konkretisht, shqiptarët, si faktor kryesor në rajon, kërkojnë që Parlamenti të vendoset në Tiranë apo Prishtinë dhe jo në Beograd, siç pretendon Serbia. Sipas burimeve, pala shqiptare këmbëngul që të respektohet harta demografike dhe përbërja etnike e gjashtë vendeve për të përcaktuar vendndodhjen e Parlamentit. Mësohet se Parlamenti i ri duhet të reflektojë vlerat dhe parimet e BE, ku respektohet shumica. Adem Demaçi kundër Jugosllavisë së Re Veprimtari i shquar, Adem Demaçi është shprehur kundër iniciativës së Malit të Zi për planin “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor. “Neve nuk na intereson çfarë planesh bëjnë të huajt, të tjerët. Ata kanë planet e veta, ne tonat. Puna e Jugosllavisë njëherë e përgjithmonë ka mbaruar dhe ne shqiptarët kemi derdhur gjak e më vonë kemi festuar që kemi dalë nga ajo. Madje jo vetëm shqiptarët, por edhe të tjerët kanë festuar që ishin viktimë e krimeve, masakrave persekutimeve, burgosjeve në atë “Jugosllavi” dhe mezi kanë pritur të dalin nga ajo. Për zhdukjen e asaj “Jugosllavie” nuk kishin punuar vetëm shqiptarët, por edhe komuniteti ndërkombëtarë, sepse ai shtet me gjitha ato të zeza prishte edhe imazhin e Evropës”, ka thënë Adem Demaçi. Më tutje ai ka shtuar se nëse shtetet sllave dëshirojnë që ta ri-jetësojnë këtë planë atëherë le ta bëjnë të vetme pasi që shqiptarët nuk e kanë ndërmend të futen përsëri aty. “Ne nuk jemi sllavë, kush të dojë le të shkojë me atë farë Jugosllavie. Ne shqiptarët hyjmë në atë Jugosllavi, vetëm atëherë kur qarri do të bëjë dardha”, ka shtuar Demaçi. Serbia kërkon të ketë rol kyç në Unionin e Ballkanit Atë që nuk e bëri dot me luftë, Serbia po tenton ta bëjë me rrugë të tjera. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare në rajon, pas luftës së ftohtë dhe pas shembjes së Jugosllavisë, evidenton se shteti më i interesuar për projekte federatash, minifederatash, unionesh e kartelesh ballkanike etj., është Serbia, si shteti i vetëm që shpall zyrtarisht pretendimin për të qenë lider i Ballkanit, siç konfirmoi presidenti i saj T. Nikoliç në Pekin në fund të muajit të kaluar. Dijana Vukmanoviç, nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, (partia e kryeministrit serb), duke folur për nismën malazeze, shprehu shqetësimin në 19 shtator, se kjo nismë do të interpretohej si një formim i një Jugosllavie të re dhe bashkë me këtë, në këtë rast vjen edhe dështimi i saj. Portali serb “inserbia.info” shkruan në 18 shtator, se kjo nismë është rezultat i një marrëveshjeje të ministrave të Jashtëm të rajonit me Komisionerin e Zgjerimit dhe me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, RÇ, Goran Svilanoviç. /Almakos/]]>

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar