Januzaj i zhgënjyer nga FSHF: Po i mbyllin dyert vetes

0

Adnan Januzaj nuk ka vendosur ende se për cilën kombëtare do të luajë. Konfirmimi vjen nga babai i tij, Abedin Januzaj, që njëherësh është edhe menaxher i talentit të Mançester Junajted.

Në një intervistë për emision “Interaktiv” në KTV, babai i futbollistit të ri shqiptar me pasaportë belge është shprehur i zhgënjyer nga Federata Shqiptare e Futbollit, veçanërisht nga presidenti Armando Duka. Sipas Abedin Januzajt, FSHF me në krye Dukën  ka bërë vetëm dezinformata dhe asnjëherë nuk e kanë thirrur Adnanin për të luajtur me Shqipërinë.

Abedini është shprehur i pakënaqur edhe me Belgjikën, dhe deklaratën e trajnerit Wilmots, i cili ka thënë se “si pranojnë shantazhet”. Ai ka përjashtuar mundësinë që djali i tij të luajë për Kombëtaret e tjera, siç edhe është përfolur për Turqinë, Kroacinë, madje edhe për Serbinë.

“Për momentin nuk do t’ua mbyll përfundimisht dyert asnjë kombëtareje, por dua që njerëz profesionistë të vijnë të më takojnë e të flasim si profesionistë”, ka thënë Abedin Januzaj.

Ai ka zbardhur edhe një interesim të kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana, i cili ishte angazhuar nga FSHF-ja për të folur me babanë e futbollistit të ri. “Unë e respektoj Lorikun dhe karrierën e tij jashtëzakonisht shumë, por te unë nuk ka ndikim”, ka sqaruar ai.

Ndërkohë në nivel klubesh, Abedini ka thënë se negociatat po vazhdojnë mirë dhe beson se Adnani me shumë gjasa do të qëndrojë tek Mançester Junajted.

/Objektiv.al/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here