“Izeti – Portret një miku” ese nga poeti Valery Petrov

“Izeti – Portret një miku” ese nga poeti Valery Petrov Ese nga poeti bullgar Valeri Petrov për kolegun e tij boshnjak Izet Sarajliç Më lejoni të paralajmëroj lexuesin për një gabimi të mundshëm. Fotografia, të cilën e shihni, nuk është ajo e shkrimtarit të kësaj eseje, por e njeriut për të cilin është shkruar kjo

“Izeti – Portret një miku” ese nga poeti Valery Petrov

Ese nga poeti bullgar Valeri Petrov për kolegun e tij boshnjak Izet Sarajliç

Më lejoni të paralajmëroj lexuesin për një gabimi të mundshëm. Fotografia, të cilën e shihni, nuk është ajo e shkrimtarit të kësaj eseje, por e njeriut për të cilin është shkruar kjo ese. Ndjej se do të veproj vetëm në frymën e vërtetë të projektit tonë të përbashkët, nëse kontribuoj për këtë, jo duke shkruar një poezi, por duke prezantuar një vëlla-poet nga një vend fqinj. Vendi është Bosnja dhe poeti është Izet Sarajliç.

Rreth tridhjetë vjet më parë, emri i tij s’më thoshte asgjë. Aq më pak, nuk e njihja për boshnjak. Çudi, pasi është fakt që si rezultat apo pasojë e shumë gjërave, popujt e Ballkanit vështirë se e njohin njëri-tjetrin. Ne kemi qenë fqinjë për mijëra vjet, por nuk njohim asgjë për kulturat e njëri-tjetrit, të kaluarën e as të tashmen. Kjo është e vërtetë veçanërisht për kohët e fundit. Ndërkohë që aspirojnë për kulturën e tyre, ndihemi keq, kur Perëndimi injoron a priori letërsinë tonë përkatëse, pa u thelluar për të mësuar diç më shumë për ne. Megjithatë, ne nuk gjejmë kohë për të hedhur një vështrim nga fqinjët tanë.

Si poet i ri, u dorëzova në ndikimin e fortë letrar të Francës gjeografikisht të largët, Italisë, Gjermanisë dhe Rusisë; por isha shumë i paqartë se kush ishin poetët më të mëdhenj të Rumanisë, Turqisë dhe Greqisë apo ish-Jugosllavisë. Komunikimi i ngushtë me Izet-in më bëri ta ndieja këtë paradoks edhe më fort.

Deri kohët e fundit, nuk isha mjaft i qartë se si dhe pse u bëmë miq. U takuam për herë të parë shumë më herët, në një konferencë shkrimtarësh në Budapest. E vetmja gjë që mbaj mend nga ajo konferencë është simboli e xhaketës së një delegati, që lexonte “Heinrich Heine”[1], Jugosllavi”.

Ky ishte ai, Izeti. U intrigova nga ai manifestim i pazakontë i një shpirti të lirë që shmangte konventat. Ai, nga ana tjetër, ishte i hapur për miqësi të reja. S’mund ta kujtoj çfarë kemi bërë në ato pak ditë gjatë konferencës. Nuk besoj se po i lexonim poezitë tona njëri-tjetrit, ose ndryshonim detajet e jetës sonë përkatëse (një vit më vonë mësova se ishte musliman nga Sarajeva). Megjithatë, u ndamë si miq dhe mbajtëm kontakte me anë të postës, megjithëse të parregullta, provuan forcën e miqësisë sonë.

Ai takim ishte i pari dhe fundit. Ngjarjet që pasuan ndryshuan plotësisht imazhin e gadishullit Ballkanik. Lidhjet u ndërprenë.

Pyesja veten se çfarë mund të kishte ndodhur me “Heinen” në Ballkan dhe çfarë bënte ai në Bosnjën e tij të shkurorëzuar, ish pjesë e Jugosllavisë së rënë; çfarë poezishë shkruante, çfarë qëndrimi kishte marrë kundrejt luftës vëllavrasëse. S’iu besoja shërbimeve postare, kështu që pyetjet më mbetën pa përgjigje. Vetëm kohët e fundit, duke lexuar poezitë, të cilat m’i dërgoi nga Sarajeva e pushtuar, kuptova se heshtja ime ishte gabim i madh. Ai kishte pritur miqtë e tij nga jashtë “po shtypte zilen në derën time”, siç shkroi në një poezi tepër të trishtuar, ndërsa miqtë e tij nga jashtë, duke përfshirë edhe një shokt të tij nga Bullgaria, kurrë nuk u përpoqën të lidhen me të. Për të shpëtuar sadopak ndërgjegjen time, dy vjet më parë vendosa t’i jap një surprizë të këndshme duke e përkthyer në bullgarisht dhe duke botuar disa poezi të tij.

Kështu, fillova përkthimin, gjeta plotësisht personin që qëndronte pas fytyrës së tij.

Fjalët s’më dalin, prandaj s’mund ta shpreh në mënyrë të përpiktë shkallën e emocioneve që ndjeva kur fillova të përkthej poezitë e krijuara prej tij, veçanërisht vargjet e shkruara në vitet e luftës. Analiza e strukturës poetike tregoi qartë se në formën poetike ai ndoqi rregullat klasike edhe jo verbërisht, ndërkohë që gjatë gjithë kohës, qëllimisht synonte një prozë të ndershme dhe të hapur. Si i aftë për teknikat tradicionale të vargut, edhe unë duhej t’i qëndroja kësaj linje. Megjithatë ndodhi kundërta.

Cila ishte arsyeja? Besoj se kushdo që do të kujdeset kur lexon poezitë do ta gjejë. Përgjigja qëndron në vërtetësinë dhe sinqeritetin e pabesueshëm të çdo fjale. Poeti duket se e ka kuptuar vetë, pasi ai pretendon, paradoksalisht, se “poezitë janë më të dobëta kur duan të jenë poetike”, “me shfaqjen e së vërtetës, ndërhyrja e poetit bëhet krejtësisht e panevojshme”. Me njëfar shakaje, unë argumentoja duke pohuar se shkrimi do të ishte edhe më i lehtë nëse do të zgjedhësh të shkruash për veten, familjen tënde, miqtë dhe të gjitha gjërat që kanë ndodhur me ty: kjo do ta bënte të vërtet një poemë.

E lehtë me të vërtetë! Në terma praktikë, mund të ishte e lehtë vetëm nëse të gjithë ndanin idetë e Izetit dhe për këtë arsye e përdori mënyrën e tij të veçantë të shkrimit jo si një teknikë letrare, por si mjet i vetëm për komunikim me mendësinë e tjetrit. Kjo qe ajo që i bëri poezitë e tij të mahnitshme. Mendimet dhe ndjenjat u bashkuan, duke çuar poezinë në pikën më të afërt me prozën, ndërsa në të njëjtën kohë duke shkuar kundër thelbit prozaik. Nuk kishte estetikë artificiale në vargjet e tij. Të butë dhe të ngrohtë, më konfirmuan atë që kisha dëgjuar për jetën e Izetit në qytetin e tij të vuajtur dhe për qëndrimin që kishte marrë kundretj gjakderdhjes. Pasi kishte humbur më të afërtit dhe më të dashurit, kishte arritur të ruante fytyrën e tij njerëzore; duke vuajtur si të gjithë të mbijetuarit e tjerë. Ai i shkroi vargjet e tij duke punuar së bashku me bashkëqytetarët e tij në momentet më të vështira dhe fitoi dashurinë e pakushtëzuar të bashkatdhetarëve të tij, duke mbetur poeti modern më i dashur i tyre.

Bashkëkohësit e tij në anën tjetër të frontit mund t’i kenë shërbyer së vërtetës së tyre, ndryshe nga e vërteta e tij. Nuk e dija se kush kishte të drejtë dhe kush gabonte në atë konflikt. E vetmja gjë që isha i sigurt, sepse e ndjeja atë në zemrën time, ishte se poezia e Izetit po përpiqej të fluturonte mbi urrejtjen. Natyrisht, ishte një detyrë e vështirë sepse e shihja se si, në momente të caktuara, poezitë që po përktheja i përkisnin dënimit të zemëruar të “anës tjetër”, por kush do t’ia dijë nëse kjo është e justifikuar apo jo? Konfirmoj se poezia që përktheva është e një rendi shumë të lartë dhe si e tillë as do dhe as mund të gënjejë.

Dhe një gjë tjetër… Besoj se vëllazëria e poetëve duhet të qëndrojë mbi mijra argumente, pavarësisht nga natyra e tyre.

Mijëra arsye më bënin të ndieja një lidhje të fortë me poetin që kisha vendosur të përktheja. Ishin shumë gjëra që më detyruan. Duket se kemi qenë të shënuar nga të njëjtat ideale sociale, të cilat ishin djegur përmes rinisë sonë; dhe për të ndarë admirimin e respektin për të njëjtët shkrimtarë, artistë, regjisorë; dukej sikur kishim të njëjtën kërkesë drejt asaj që është e re në kulturën botërore të sotme. Ndërsa kjo nuk ishte e mjaftueshme, u bë e qartë për mua gjatë leximit të vargut të tij autobiografik, se gjyqi dhe vuajtjet e jetës sonë përkatëse ishin gjithashtu identike. Jemi përballur me ta në të njëjtën mënyrë; kemi ndjerë të njëjtën indiferencë. I njëjti trishtim, megjithëse nuk u privua plotësisht nga shpresa, peshonte kolapsin e ëndrrave tona të rinisë dhe botën e aspiratave të gjeneratës. Sa e vërtetë, sa bukur e ka shprehur ai: “Ëndrrat tona për komunizmin, kishin vlerë sa të gjitha zhgënjimet tona të mëvonshme…”

E kam përmendur edhe më parë që nuk e kuptoja pse, pa u njohur vërtet me njëri-tjetrin, u bëmë miq të tillë. Kuptova gradualisht se kjo ishte intuitive, që duke ndjekur njëfarë kërkimi nënndërgjegjës, menduam se gjërat që na lidhën ishin më shumë sesa mund të ishim të vetëdijshëm gjatë pak ditëve të konferencës, kaq shumë vite më parë. Këto gjëra ishin të fshehura si masa e ajsbergut… E di që ky nuk është një krahasim i përshtatshëm, pasi ajsbergët qëndrojnë për të ftohtët, ndërsa takimi ynë ishte tepër i ngrohtë.

Nuk do mund të takoheshim më. Dëshira ime për të surprizuar këndshëm mikun tim nga Bosnja nuk u materializua. Isha ende në mes të përkthimit të gjërave të tij kur më erdhi lajmi se ai e kishte lënë botën tonë mëkatare. Ndjenja e humbjes më bëri të vendosja për zgjerimin e fushës, dhe të përktheja jo vetëm disa poezi, por aq sa për të përkthyer një vëllim “Poezi të Përzgjedhura”. Shkrova gjithashtu hyrjen në këtë përzgjedhje; në fakt, shumica e asaj që po shkruaj këtu, ëshët nga Parathënia. Edhe pse isha tepër vonë në homazhin tim ndaj tij, jam i ngushëlluar nga mendimi se poezia tejkalon krijuesit e saj, poetët vazhdojnë të jetojnë përtej vdekjes së tyre dhe se përkthimet e mia do të përmirësonin një jetë të dytë për këtë poet dhe qenie njerëzore të mrekullueshme, si Izet Sarajliç.

Kjo më bëri të përfshij disa nga poezitë e tij në këtë ese. Kam zgjedhur me dashje disa vepra nga periudha e dytë e jetës së tij krijuese. Duke marrë parasysh se ato do të përkthehen edhe në gjermanisht, kam zgjedhur periudhën bosh të poetit në mënyrë që përkthimi i tyre në dy gjuhë të huaja të mundësojë ruajtjen e formës dhe përmbajtjes së tyre origjinale. Sidoqoftë, shpresoj që lexuesit të vlerësojnë bukurinë e tyre dhe ta mbajë në zemrat e tyre mënyrën siç ne në Bullgari i mbajmë imazhet e miqve tanë në zemrat tona.

TEORIA E RUAJTJES SË DISTANCËS

Teoria e ruatjes së distancës
u zbulua nga shkrimtarët prozaik,
ata që nuk duan të rrezikojnë asgjë.

Unë vetë iu përkas atyre
që besojnë
se të hënën duhet të flasin për të hënën,
deri të martën mund të jetë tepër vonë.

Është e vështirë, natyrisht,
të shkruash poezi në bodrum,
kur mortaja të shpërthen mbi kokë.

Nuk është e vështirë të shkruash poezi.



PËR ISH-MIQTË E MI YUGOSLLAVË

Çfarë na ngjau në një natë të vetme,
miqtë e mi?

Nuk e di se ç’po bëni,
ç’po shkruani,
me kë pini,
në të cilët libra e keni varrosur veten.

Nuk e di
nëse jemi apet miq.

ME FAT, NË SARAJEVË

Në Sarajevë
pranverën e vitit 1992 gjithëgjë është e mundur:
ti merr udhën
për të blerë bukë
dhe përfudon në një repart emergjence
me këmbët copëtuar

dhe akoma mund të thuash
sa paskam qenë me fat.

Përktheu nga anglishtja Alban Tufa

*Poezitë janë përzgjedhur nga përkthyesi dhe nuk janë domosdo poezitë që Valery Petrov ka përkthyer në bullgarisht. .


[1] Heinrich Heine ishte poet gjerman, gazetar, eseist dhe kritik letrar.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar