Itali, fundoset anija me klandestinë, së paku 62 viktima

0

Një  anije me klandestinë është mbytur sot në ishullin italian të Lampeduzës, me qindra persona që kanë përfunduar në ujë, mes të cilëve rreth 30 fëmijë dhe 3 gra shtatzëna.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se deri tani raportohen 62 viktima megjithatë  bilanci mund të rritet gjatë orëve në vazhdim.

Varka, në të cilën udhëtonin rreth 500 persona, mendohet të ketë marrë flakë ,cfarë ka shkaktuar edhe përmbytjen e saj. Sipas raportimit të së përditshmes “Corriere della Sera”, në det janë parë kufoma të tjera, ndërkohë që ato të rikuperuara janë vendosur në molin e portit, që është kthyer në një dhomë mortore në qiell të hapur.

Deri tani janë rekuperuar të gjallë 150 klandestinë, të cilët janë shpëtuar nga motovedetat dhe disa varka të portit, që po marrin pjesë në operacion.

Kryetarja e bashkisë së Lampeduzës, Giusi Nicolini e informuar mbi tragjedinë, ka bërë të ditur se mes të mbijetuarve është identifikuar edhe skafisti, që është ndaluar nga policia.

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet derisa numri i viktimave po rritet. Besohet se anija kishte rreth 500 emigrantë.Një mjek nga shërbimet emergjente lokale ka thënë se pasagjerët e anijes vinin nga Somalia.

Lampedusa ndodhet në mes të Tunizisë dhe Sicilisë dhe është një nga hyrjet kryesore të emigrantëve në Bashkimin Evropian. Ky është i disati incident i kohëve të fundit në brigjet italiane. Të hënën 13 emigrantë vdiqën në ujërat e këtij shteti kur një anije u fundos afër Sicilisë.

/Elta Liksenaj/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here