INTERVISTË – Marku: Mediat duhet të jenë garanci e lirisë së të tjerëve

INTERVISTË – Marku: Mediat duhet të jenë garanci e lirisë së të tjerëve

Intervistoi: Rovena Xhili   Në intervistën e radhës për portalin “Objektiv” vjen studiuesi i shkencave të komunikimit dhe analisti i njohur Mark Marku. Si njohës i medias dhe si intelektual i angazhuar edhe në politikë, në intervistën tonë ai shpalos disa ide mbi raportet mes medias dhe politikës, si dhe për gjendjen në të cilën

Intervistoi: Rovena Xhili

 

Në intervistën e radhës për portalin “Objektiv” vjen studiuesi i shkencave të komunikimit dhe analisti i njohur Mark Marku. Si njohës i medias dhe si intelektual i angazhuar edhe në politikë, në intervistën tonë ai shpalos disa ide mbi raportet mes medias dhe politikës, si dhe për gjendjen në të cilën ndodhet sot gazetaria shqiptare.

Z. Marku, si e shikoni të pozicionuar median në raport me politikën?

Ka një raport varësie të dyanshme mes medias dhe politikës. Nëse varësia e politikës nga mediat është e mirëpritur dhe e shëndetshme për një shoqëri demokratike, varësia e mediave nga politika është mjaft e dëmshme pasi mediat nuk e ushtrojnë funksionin e tyre si pushtet i katërt kontrollues i tre pushteteve të tjera.

Sipas raportit të Qendrës Shqiptare të Monitorimit të Medias (AMMC), mediat janë nën presion politik. Ç’mendim keni ju mbi këtë raport?

Mendoj se kjo lidhet kryesisht me trafikun e interesave ku janë përfshirë shumë aktorë mediatikë. Një pjesë e tyre kanë edhe biznese të tjera përveç bizneseve mediatike dhe për të shkak të këtyre bizneseve përfshihen në shërbime politike.

Përse mediume të ndryshme zgjedhin të thyejnë etikën në media? Cili është përfitimi i tyre në raste të tilla?

Mungesa e etikës ka të bëjë me shumë faktorë, por pavarësisht kësaj, ajo shpreh një të metë themelore të mediave shqiptare:  mediat shqiptare nuk e kanë kuptuar ende se ato duhet të jenë garanci e lirisë së të tjerëve dhe jo kërcënim për lirinë e të tjerëve.

Media është një biznes në formë, por jo në përmbajtje, mos vallë në Shqipëri të tëra funksionet e medias po kthehen të njëjtë me ato të biznesit?

Media është një biznes por produkti i saj – informacioni, është një mall i llojit të veçantë. Duhet pra që mediat të jenë në përputhje me natyrën e tyre, t’i përmbahen rigorozisht funksionit të parë të tyre – informimit të shoqërisë, gjë që shpeshherë nuk e bëjnë në mënyrë cilësore.

Sa të pranueshme janë qëndrimet kritike, ato që dalin nga linjat e të zakonshmes nga media, politika, por dhe vetë shoqëria shqiptare?

Në përgjithësi shoqëria shqiptare është e prirur nga konformizmi. Mediat shqiptare i brendashkruhen  kësaj prirje të përgjithshme shoqërore. Megjithatë duhet thënë se pavarësisht kësaj ato vazhdojnë të jenë i vetmi bastion i qëndrimit kritik të shoqërisë shqiptare. Prej mediave vjen pjesa më e madhe e oponencës ndaj pushtetit. Kjo gjë duhet kultivuar dhe jo frenuar.

Z. Marku, si e shihni krizën e mediave shqiptare, si gjendje të përkohshme apo afatgjatë?

Është një krizë kryesisht ekonomike, por jo vetëm. Mendoj se mediat shqiptare ndodhen para një krize të madhe që tejkalohet me një transformim dhe vetëdijesim të madh. Kriza nuk mund të jetë gjendje e përhershme e mediave, kështu që shpresojmë të kalojë sa më shpejt. Mendoj se në muajt në vazhdim kjo krizë do të thellohet.

Dhe së fundmi do të doja t’ju kërkoja një këshillë për të gjithë ata që synojnë të bëhen pjesë e botës mediatike?

Zakonisht e shmang këtë punën e këshillave. Këshillat burojnë prej përvojës empirike dhe çdo përvojë është e papërsëritshme, për këtë arsye jam kundër këshillave.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar