Intervistë/ Gëzim Tushi: Televizioni në Shqipëri, nxitës i pasioneve të deformuara politike

0

1.Aktualisht në Shqipëri, sipas KKRT-së operojnë 4 kanale televizive kombëtare, 65 kanale televizive lokale, 33 kanale televizve kabllore, 3 radio kombëtare dhe 47 radio lokale. Cilat janë disa nga përparësitë dhe mangësitë e ekzistencës së një numri kaq të madh  mediash në një vend me popullsi jo  më shumë se 3 milion banorë si Shqipëria?

Padyshim, ne si shoqëri jemi përfshirë nga dallgët e zhvillimeve postmoderne dhe në këtë kontekst duhet pranuar se zhvillimet e kohëve të fundit në sasi dhe cilësi të televizionit në Shqipëri, janë fakti më elokuent që tregon se në mënyrë të sigurt se tani kemi hyrë në një etapë të re të historisë së zhvillimit të tij.

Sociologët janë të mendimit se “Televizioni në plan kombëtar është faktor i modernitetit, i kohezionit shoqëror dhe kulturor, i identitetit kombëtar pikërisht pse ekziston një kulturë e përbashkët. Nga ana tjetër, në planin botëror, televizioni nuk ka të njëjtin rol nga që nuk ka të njëjtin kod kulturor të përbashkët; përkundrazi, ai ka një funksion informativ, zbavitës dhe kontribuon gjithashtu në ruajtjen e identiteteve kombëtare”. Jo vetëm kaq por prania e shumë kanaleve televizive gjeneralistë dhe të diversifikuar po krijon kushte që në shoqërinë tonë të plotësohet standarti që televizori në familje të mund të bëhet instrument për zgjedhje të diferencuar sipas kërkesave të qytetarit në familje. Kjo nuk është gjë e keqe. Por që ky inflacionizëm televiziv po sjell edhe skarcitet professional dhe cilësi të lëkundura qytetare edhe kjo nuk diskutohet. Por këto janë paradokset e zhvillimit që shfaqen në çdo fushë të jetës.

 

2.Televizioni si një media e ftohtë ka provuar të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në shoqëri. Cfarë forme merr ky ndikim në vendin tonë, duke pasur parasysh të kaluarën patriarkale dhe mbylljen nga  sistemi komunist?

Marrëdhëniet tona me televizionin janë shumë të reja dhe me një histori problematike, në se nisemi nga fakti që ai ka ardhur shumë vonë si dukuri dhe pastaj për gjysëm shekulli ka qenë një instrument “memec”, i kontrolluar dhe që ka qenë më së shumti vetëm një “buri propagandistike” e regjimit komunist. Në këto dy dekada është bërë një revolucion i vërtetë sasior dhe cilësor në zhvillimin e televizionit dhe në transformimin e marrëdhënieve të qytetarit me të.

Sa më shumë demokratike bëhet shoqëria dhe sa më i lirë bëhet njeriu, aq më shumë shtohen rreziqet e manipulimit mediatik dhe televiziv. Të gjithë mendimtarët e shoqërisë moderne janë të mendimit se sa më moderne bëhet shoqëria aq më të shumta dhe të pranishme janë mekanizmat dhe mjetet që e bëjnë njeriun po aq të lirë sa dhe të epshëm, të nënshtruar ndaj ndikimeve të shoqërisë moderne.

Padyshim që televizioni është bërë sot komponent i atij fenomeni që njeihet si “imperializëm kulturor” në shoqërinë moderne dhe efektet dhe kundërefektet ndikimet pozitive dhe negative të tij janë të pranishme. Ajo që ka rëndësi, është që të kuptojmë mirë dhe njëherësh të pranojmë faktin e vërtetë që televizioni, zhvillimi i përmbajtjes dhe përsosja e teknikës, është pasqyrë e nivelit dhe zhvillimit social të shoqërisë tonë.

 

3. Në median shqiptare vëmë re një numër të lartë të talk-showve  dhe debateve politike, a e kanë  përmirësuar sjelljen politike të shqiptarëve këto programe apo impakti ka qënë krejt tjetër?

Përgjigjja për të ndarë ndikimin pozitiv dhe negative të televizionit dhe debateve politike që zhvillohen në të nuk është e lehtë. Sigurisht nuk ka faj instrumenti me të cilin transmetohet politika tejet dikotomike, konfliktuale dhe akoma në esencë provincial e politikanëve shqiptarë. Sepse nga njëra anë televizioni sjell paradigm modern dhe praktika të mira të mënyrës si zhvillohet politika e qytetëruar dhe zgjidhjet konsenuale të konflikteve politike dhe pastaj shqiptarët përballen me teatrin absurd të politikës shqiptare verbalisht të dhunshme (ndonjëherë edhe fizikisht e tillë).

Televizioni sipas mendimit tim më shumë se është “ilaç mediatik” për të qetësuar shpirtrat politikë të shqiptarëve në shumicën e rasteve është mjet që nxit sëmundjen e thellimit të ndarjeve militante dhe politizimeve të skajshme të debatit politik të qytetarëve. Shikoni se çfarë ndodh në locale. Asnjë nuk e mban televiziorin e lokalit në emisione mediatike të transmetimit të debateve politikë, sepse kanë frikë që edhe aty mund të nxiten pasionet e pakontrolluara politike të klientëve dhe mund ta bëjnë lokalin një arenë beteje politike ala shqiptare.

Televizionet tona kanë merak në garën e tyre jo të qetësojnë politikisht qytetarin por të nxitin tek ai pasionet e deformuara të politikës. Me sa duket ka një “pakt social” të televizionit me pasionet e qytetarit të politizuar për të qenë të lidhur dhe nxitës të njëri tjetrit.

 

4. Sa mendoni se ndikojnë edicionet informative me lajme për vrasjet, dhunën dhe kriminalitetin në manifestimin e këtyre fenomeneve tek ndjekësit e tyre?

Padyshim që ndikojnë shumë dhe ndoshta është një nga përgjegjësit e tërthortë që ka ndikim në rritjen e “kulturës së dhunës” dhe përhapjen e zgjeruar të “klimës së kriminalitetit” në shoqërinë shqiptare. Në se do të shikojmë krimet dhe dhunën e pasqyruar në televizionet tona duket se me shumicë janë të rinjtë tanë që po implikohen gjërësisht në veprime kriminale. Kaq shqetësuese është bërë kjo dukuri për kohën tonë sa që sociologët detyrohen të thonë se shtimi i masës së të rinjve nganjëherë nuk është “lajm i mirë për asnjë vend”.

Kjo sepse gati të gjitha krimet në shoqëri po kryhen nga të rinjtë e moshës nga 15 deri në 20 vjeç. Fareed Zakaria sjell idenë e nje studiuesi të shkencave shoqërore i cili ka thënë “Mbyllini gjëkundi gjithë të rinjtë dhe krimet e dhunshme do të ulen më shumë se 95%”.Mënyra si pasqyrohet dhuna, kriminaliteti në media duket se më shumë I kushton rëndësi teknikaliteteve të krimit, anës së jashtme dhe mënyrës së realizimit se shkaqeve dhe rrugët që duhen ndjekuar për të parandaluar atë. Në se do të mësosh sot “kulturën e krimit” dhe teknikalitetet e realizimit të tij, nuk është vështirë të gjesh përmes ekranet të gjithë rrugët e mundshme që të çojnë atje. Nuk është fjala për të ndjellur censurë, por një vetkontroll etik I televizioneve do të ishte abc-ja e deontologjisë së tyre qytetare.

Televizori ka ndikimin më të fuqishëm shoqërizues, ka thotë psikologu amerikan Stefën Covey. Dhe kur shikojmë televizor do të thotë se jemi subjekt i të gjithë vlerave që mësohen prej tij. Ai ndikon në shumë mënyra të padukshme dhe të paperceptueshme. Dija që merret prej televizorit nuk ka vlerë në se kalon bruto dhe i shmanget vetëmenaxhimit efikas të njeriut. Kjo do të thotë se duhet të mësohemi të dallojmë dhe të zgjedhim programet informuese, frymëzuese dhe argëtuese që na shërbejnë dhe shprehin më mirë vlerat dhe qëllimet tona.

 

5. Sipas një studimi amerikan, në çdo orë më shumë që kalojnë para ekranit, të rinjtë dhe fëmijët shfaqin më shumë shenja agresiviteti. Sipas këtij studimi rreth 30% e adoleshentëve kanë prirje për të pasur probleme me ligjin në një moshë madhore. Cfarë qëndrimi duhet të mbajnë prindërit përballë këtij fakti shqetësues?

Vrojtimet e bëra nga studiuesit, tregojnë se ndjekja e programeve në televizor në shumë shtëpi zë nga 35 deri në 45 orë në javë. Është e barabartë me kohën që shumë njerëz e kalojnë duke punuar dhe është padyshim më e madhe se koha që kalohet në shkollë nga të rinjtë. Ky është shqetësim social. Koha moderne e ka bërë shtëpinë nga një ambient i qetësisë tradicionale në një shtëpi me kabllo të mbulluar nga mjetet të forta të informacionit dhe argëtimit.

Ende televizioni mbetet dominant për të kaluar kohën të rinjtë. Me ta duhet komunikuar për të vendosur një ekulibër të shëndetshëm për kalimin e kohës familjare, duke vendosur raporte të drejta midis librit, televizionit, komunimimit social familjar dhe gjumit. Ky ekuacion familjar është prishur dhe ata që po e prishin këtë janë kryesisht të rinjtë.

Besoj se edukatorët natyralë të familjes, prindërit janë ata që mund të edukojnë këtë ekuacion që të jetë edhe nxitës por dhe i shëndetshëm. Me të rinjtë duhet komunikuar për të kultivuar tek ata ekulibret që duhen me ekranin dhe lëndën e tij televizive. Me forcë ajo nuk bëhet. Madje jep kundërefekte që nxitin rebelimin dhe agresivitetin moshor.

 

6. Doja të ndalesha pak edhe tek tregu mediatik i reklamave në kanalet tona. Në një vend si Shqipëria ku kostoja e jetesës është sa gjysma e nivelit mesatar të vendeve europiane (51%), shohim të reklamohen produkte dhe shërbime të cilat mund të përballohen vetëm nga individë të caktuar. Cfarë impakti kanë këto reklama sidomos tek shtresat mesatare dhe ato të ulëta?

Televizioni është mjeti më adekuat i përhapjes së kulturës së shoqërisë së konsumit. Më shumë se në jetën reale ne përmes ekranit dhe presionit konsumistik të tij kuptojmë që jemi të detyruar të pranojmë se moderniteti, konsumizmi, qejfi, kënaqësitë materiale janë komponentë të “Shoqërisë së Spektaklit”. Në këtë prirje ndikon fort “bombardimi televiziv” i qytetarit me reklama konkuruese të cilat reklamojnë dhe publikojnë produkte të nevojshme dhe të luksit por që nuk janë të arritshme nga të gjithë.

Niveli i reklamave të televizionit tonë janë më së shumti adekuate me mundësitë financiare të shtresës sociale elitare (politikanë dhe biznesmenë), mundet edhe për një pjesë të mirë të “klasës së mesme” shqiptare por krejt të paaritshme për shtresat e varfëra dhe njerëzit që janë në nevojë. Dhe këta nuk janë pak. Të them të vërtetën, pa patur asnjë tendencë egalitariste apo aspak idenë sociale për t’i bërë jehonë barazisë së shëmtuar sociale, duket se në disa raste në reklamat televizive të “luksit” shpesh herë ka shumë cinizëm social.

Doemos efekti në shtresat e varfëra është dëshpërues, deprimues,  paralitik. Sepse reklamat vertikale të luksist e rritin perceptimin e pozitës së distancës disfavorizuese të shtresës së varfër dhe bën të errët perspektivën e tyre për të hyrë së pari në botën e mirëqenies sociale apo ca më pak në jetën e luksit. Duhet pak kujdes në reklama ose së paku në orët e transmetimit të tyre. Reklamat nuk duhet t’i shërbejnë nxitjes së ambicjes dhe egoizmit artificialisht.

 

7. Këto dy vitet e fundit, duket se në kanalet tona vendin e telenovelave spanjolle e zunë ato turke. Si e shpjegoni suksesin e këtyre të fundit në një shoqëri si e jona?

Ne jemi akoma larg standartit të familjes proaktive perëndimore në të cilat sipas sociologëve të familjes, shikimi i televizorit nuk i kalon një orë në ditë. Përkundrazi vartësinë e njerëzve, sidomos të shtëpiakeve dhe të rinjve nga televizori, ka bërë që kohët e fundit me një intensitet të veçantë të shfaqet patologjia e vartësisë pasive ndaj telenovelave . Natyrisht ne duhet t’i jemi mirënjohës televizorit për një pjesë të madhe të programeve argëtuese, edukative dhe shumë cilësore. Ato pasurojnë jetën tonë dhe kontribuojnë në mënyrë domethënëse në qëllimet dhe synimet tona. Por ka shumë programe, sidomos telenovelat që harxhojnë kohën dhe mendjet tona dhe në disa raste edhe ndikojnë negativisht. Jetojmë në epokën moderne kur me sa duket televizori është bërë edhe “shërbëtor i mirë”, por në shumë raste është shndërruar në “padron të keq” për njeriun që është i varur prej tij.

Pse po bëhen dominante telenovelat turke? Kjo ka shumë arsye kulturore, gjeopolitike, që lidhen me historinë, traditën, fenë, tipologjinë e familjes dhe zakonet e zhvilluara brenda saj. Turqit kanë strategjinë e tyre të gjithanshme që lidhet me disa gjëra që janë përtej telenovelave që konsomojmë ne. Por ata kanë edhe strategjistët e filmit dhe televizionit, kanë një produkt të begatë dhe me indikacione në terrenin kulturor ballkanik. Temat e telenovelave turke kanë në qendër familjen dhe problematikat e larmishme të lidhjeve sociale dhe marrëdhënieve brenda saj. Në shumë aspekte megjithë ndryshimet akoma duket se ka rezonanca periferike me problematikën sociale të familjeve tona. Ndërkaq, me aq sa kam mundur unë të ndjek ndonjë prej tyre, më duket se janë realizime cilësore televizive që tërheqin qytetarët sidomos zonjat shtëpiake dhe moshat që kanë dalë nga “bota e punës”.

/Elta Liksenaj/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here