INSTAT: Rritet varfëria në vend

0

INSTAT publikon raportin mbi varfërinë për vitin 2012, sipas të cilit niveli i familjeve të varfëra në vend është rritur nga 12.4% në 2008, në 14.3% në 2012. Instituti i Statistikave ka kryer një anketë, ku pjesë e saj kanë qenë 7 mijë familje në katër rajone të vendit.

Anketa konsideron të varfër atë pjesë të popullsisë që konsumimin mujor për frymë e ka 4 891 lekë me çmimet e vitit 2002. Nga ana tjetër “popullsi ekstremisht” e varfër janë ato familje që kanë të vështirë të përmbushin nevojat bazë ushqimore, ku numri është rritur nga 1.2 % në vitin 2008, në 2.2% për zonat urbane dhe 2.3 % për zonat rurale në vitin 2012.

“Krahasuar me vitin 2008, kur varfëria ka qenë në nivelin 12.4, në vitin 2012 varfëria ka shkuar në nivelin 14.3%. Pra kemi një rritje të varfërisë, të familjeve shqiptare që janë nën vijën e varfërisë. Në qoftë se flasim në persona, kemi rreth 30 mijë njerëz më tepër që i janë shtuar pjesës së varfër në Shqipëri.”-deklaroi Ines Nurja, drejtore e përgjithshme e INSTAT.

Sipas anketës Kukësi rezulton si rajoni më i varfër në vend dhe kriza ka shtuar numrin e të varfërve.

“Prefektura me nivelin më të lartë mund të përmendim përmendim Kukësin me 21.8%, Fieri, Lezha. Prefektura me nivelin më të ulët të varfërisë janë Vlora, Korëa, dhe Berati. Kriza globale ka ndikuar në rritjen e varfërisë.”- u shpreh Nurja.

Një tjetër dukuri që vihet në pah nga kjo anketë është shtimi i varfërisë në qytete për shkak të lëvizjeve emigratore.

“Varfëria ka kaluar më tepër në zonat urbane. Nëse krahasojmë vitin 2008 me vitin 2012, në zonat urbane kemi një rritje të varfërisë, ndërsa në zonat rurale kemi një rënie të varfërisë.”- deklaroi Nurja.

Drejtoresha e INSTAT shprehet se anketa përmban të dhëna cilësore sa i përket matjes së varfërisë, pasi është shtuar numri i familjeve të anketuara në katër rajone dhe dy prefektura.

/Rovena Dupi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here