Elbasani, aty ku shëndetësia kushton!

Nga Osman STAFA Fundjava për shumë njerëz zakonisht është një kohë e cila shërben për t’u qetësuar. Për mua janë dy ditë të cilat i shfrytëzoj për të shkuar në Elbasan, tek familja ime. Një fundjavë si gjithë të tjerat, shkoj në qytetin tim. Kur arrij në lagjen në të cilën banoj, menjëherë mora vesh lajmin se një familje ishte gëzuar me ardhjen në jetë të një fëmije. “Ç’gëzim i madh!”, mendova. Si për ironi të fatit, rastësisht përballë më del i ati i fëmijës, që pas urimit që i jap, më kthehet: “Ty të faleminderit, por sot të kesh një fëmijë kushton 400 mijë lekë” dhe menjëherë më përshëndet dhe ikën. E shoqërova me sy atë njeri deri sa u kthye në kthesën që të çon në shtëpinë e tij. Çfarë donte të thoshte ai? Dhe kjo pyetje më shoqëroi deri tek porta e shtëpisë sime, dhe ç’është e vërteta, gjithë mbrëmjen mundohesha të gjeja një përgjigje. Pse duhet të paguajë një njëri për një “dritë” që sjell në jetë?! Kujt duhet t’i paguajë njëhërë?! Ditën tjetër duhet të shkoja në spitalin e ri të Elbasanit për të bërë një shkrim për godinën spitalore që është vënë prej pak muajsh në shërbim të qytetarëve të Elbasanit. Nisem për në qendrën spitalore… Ndodhem përpara portës kryesore që të mundëson hyrjen në qendrën spitalore “Xhaferr Kongoli”, ku mirëseardhëse më paraqitet një tabelë ku shkruhet “Bar Doctors’s House Restorant”, dhe ku më tregon drejtimin se ku ndodhet ky lokal. Gjatë rrugës që bëj për tek hyrja e spitalit më tërheqin vëmendjen dy gra dhe një burrë, të ulur në një nga pak stolat që gjenden në oborrin aty. Më bënë përshtypje sepse secili person nuk po bisedonte me tjetrin, por kishin ngulur shikimin diku dhe qëndronin si të ngrirë. Në ato çaste, burri prish qetësinë dhe nxjerr nga xhepi një cigare dhe e ndez. Vendos të afrohem. Pasi u them një fjalë përshëndetëse u shpjegoj se jam një gazetar dhe jam aty për t’i pyetur sesa janë të kënaqur nga shërbimi që ofrohet në këtë qendër shëndetësore. Pa mbaruar ende shpjegimin, burri menjëherë me thotë: “Po na rrjepin të gjallë”. Dhe dy gratë që i japin një shikim qortues për atë çfarë po thoshte. “Po them të vërtetën unë”- iu kthye. “Ku e ka fjalën e burrit ministri Beqja, përderisa jep fjalën mbaje atë, ndryshe nuk je burrë. E kam dëgjuar në televizor unë, që thoshte për gratë shtatzëna shërbimi do jetë falas, por kjo është një gënjeshtër”. Thithi fuqishëm 2 herë cigaren që kishte në dorë dhe vazhdoi përsëri: “Gruaja lindi me operim, dhe a e di sesi më thanë infermieret pasi doli nga salla e operacionit?”, me pyeti duke më parë drejt e në sy. “Shko bli serum sepse vetëm 5 janë, dhe ato 5 i kemi për raste emergjente. Çfarë gruaja ime, nuk ishte në rast urgjent, sepse sapo kishte dalë nga një operim”, dhe fjalët e tij filluan të marrin ton të lartë, gati u nxeh. “Tani mua më duhet të shkoj të blej ilaçet për gruan sepse në spital nuk gjenden, po deshe hajde me mua që të vërtetosh çdo gjë”. Kur e pyeta se më duhej emri i tij, ai pasi u mendua pak më thotë: “Nuk e kam problem tek emri, por tek ime shoqe që është akoma në spital dhe i frikësohem një mosshërbimi nga ana e tyre, por kjo që po të them është e vërtetë, nëse s’më beson, shko hyr brenda dhe do ta shikosh me sytë e tu”. Drejtoresha e spitalit, znj. Desantila Tahiraj, më pret në zyrën e saj dhe më tregon se kushtet e spitalit s’janë më ato të mëparshmet, ku cilësia e shërbimit dhe rregullat janë shtuar më qendrën spitalore të re. Pasi i kërkoj leje për të hyrë në spital dhe për të parë gjendjen nga afër, zonja më deklaron që po, por që me ty do të jetë edhe një person tjetër. Vendos ta kundërshtoj me arsyen se në pranin e një personi, përfaqësues i spitalit, pacientët do ndikoheshin dhe nuk do të flisnin për problematikat që spitali mund të ketë. Drejtoresha më thotë se nuk ka rrugë tjetër, përveç asaj të shoqëruarës sime nga një person tjetër. Në pamundësi të një mënyre tjetër, them po. Hyjmë në spital. Korridoret mbizotëronin nga fjalët e larta të familjarëve të pacientëve. Vendos të hyj në çdo pavion, por tani jo më vetëm, por me personin që më ngarkoi drejtoresha e spitalit, që më tha me siguri që pacientët nuk e njihnin atë. Hyjmë në një dhomë me 6 shtretër dhe ku kishte tre pacientë. Shikimet e tyre shkuan direkt tek personi i cili më shoqëronte. – Përshëndetje, jam një gazetar dhe dua të di nëse jeni të kënaqur nga shërbimi që ju ofrojnë mjekët? -Po jemi shumë të kënaqur, me kushtet e reja, jemi plotësisht të kënaqur, foli një grua dhe të gjithë miratuan me kokë fjalët e saj. – Po, kushtet janë të mira, por vetëm se na rrjepin nga lekët, ia bef një burrë aty. – Jo, jo! Çfarë thua?! – iu kundërvunë të gjithë. Pastaj burri ia kthen: “Jo jo se kushtet janë të mira dhe jemi të kënaqur, se bëj shaka unë. Pasi dolëm nga dhoma, shoqëruesja më afrohet dhe më thotë: “E pe? Kishte pirë ai dhe nuk dinte se çfarë fliste. Vazhdojmë në një dhomë tjetër. Një dhome me tre shtretër, ku ishin dy pacientë, një grua e moshuar që dukej në gjendje të mirë dhe në krevatin tjetër ishte një tjetër e moshuar por në një gjendje të rëndë dhe në kokë i rrinin një burrë dhe një grua. “Jam Gjyle Ruska dhe jam shumë e kënaqur nga cilësia e shërbimit që na japin mjekët. Këtu s’ka asgjë që duhet rregulluar”, më thotë e moshuara që ishte në gjendje të mirë. – Të kanë paguar, apo kështu duhet të flasësh? – Ia kthen gruaja që rrinte tek koka e të moshuarës që ishte në gjendje jo të mirë. Pastaj ajo nuk vazhdoi më, sepse nuk mundej më. Sapo dalim nga dhoma, shoqëruesja më shpjegon ato pak raste kur kishte reagime jo të mira me arsyen se: “Janë në gjendje të keqe, nuk dinë se çfarë flasin”. Hyjmë në një dhomë tjetër. – Jam gjysmë e kënaqur, gjysmë jo. – Pse jo? – e pyes. – Sepse të gjitha ilaçet duhet t’i blejmë vetë, dhe doktori nuk është se na kthen përgjigje kur e pyesim për diçka? – Te gjitha të gjitha? – ia kthen shoqëruesja. Gruaja menjëherë lidh duart, dhe s’po dinte si të dilte nga situata. Në atë moment zëri i nënës së vajzës që ishte në gjendje të rëndë foli disa fjalë: – Vetë or bir vetë. Hyjmë në një tjetër dhomë. Ishte një burrë dhe një grua. Menjëherë burri sapo shikon shoqëruesen bëhet gati ta përshëndesë por ajo që nuk ia kthen. Pasi e pyes për medikamentet, nëse ua jep spitali apo i blejnë vetë, ai më thotë se ua jep spitali. Ndërsa e shoqja që ishte edhe pacientja e kundërshtoi: Jo or bir jo, sepse vetë i blejmë të gjitha. Shoqëruesja këtë herë foli me një ton zëri disi të ngritur: Po këtë serumin kush ta ka dhënë? –Spitali, i përgjigjet pacientja duke thënë se një serum është i papërfillshëm në krahasim me ilaçet 70 mijëlekshe që mer, duke treguar ilaçin “uman albumiz”. Ndërkohë që burri i saj po fliste për kushtet e mira në të cilën ndodhej spitali, domethënë, duke parë shoqëruesen më shumë sesa mua, e shoqja që ishte pas tij më mohonte çdo gjë që thoshte ai. Dalim nga spitali dhe pasi e falënderoj shoqëruesen për “ndihmesën” që më dha, nisem të largohem. Në moment më tërheq vëmendjen një grua të cilën e fiksova në spital kur po pyesja disa pacientë, por që kur kisha bisedën me ta nuk foli. I ndjek me sy atë dhe një burrë që ishte me të, ulen tek një lokal përballë spitalit dhe me ta ulet edhe një person tjetër që ishte pronar i lokalit, duke qenë se aty konsumova një kafe në mëngjesin e asaj dite. Hyj në lokal dhe në atë moment shikoj burrin që hyri në lokal bashkë me gruan, nxori nga xhepi një shumë të madhe parash dhe ia dha “pronares”, e cila më pa në moment dhe menjëherë mori paratë dhe i futi në xhep. Pasi i bën një pyetje burrit, sesi kishte dalë me punë në Greqi, më kthehet: “Djali çfarë kërkon? – Asgjë, ia kthej, – po shikoj për një të afërmin tim. Duke dalë nga lokali për të ikur, dëgjoj bisedën e tre grave, të cilat po flisnin se këtu vetëm kanë ndryshuar ambientin sepse njerëzit janë të njëjtit. Kthehem dhe prezantohem me ato tre gra, të cilat me thanë se nëse nuk do t’i thonim emrat do të flisnin. Rashë dakord. – “Këtu mor djalë çfarë nuk bëhet. Kam qenë vetë prezente kur një vajzë nga Tirana erdhi këtu dhe bëri abort vetëm, pa asnjë shoqërues. Nëse i ndodh diçka vajzës kush mban përgjegjësi? Pastaj emrat e vajzave nuk i shkruajnë dhe çdo gjë mbyllet për 130 mijë lekë”, thotë njëra prej tyre. – “Këtu mor djalë i dashur ambientet më të vërtetë kanë ndryshuar, si cilësia dhe shërbimi, por çe do. Janë njerëzit e njëjtë, janë po ata që kanë qenë”, thotë tjetra. – “Mjekët tamam tamam nuk të kërkojnë, por të detyrojë që të japësh, sepse ata nuk të shikojnë të sëmurin, neglizhojnë me pak fjalë. Dhe njerëzit e shkretë nga halli janë detyruar të japin. Shtatzënia falas? As që ekziston diçka e tillë, më parë në kohën e Berishës, njerëzit e dinin se për një lidje duheshin 300 mijë lekë dhe pikë. Ndërsa tani ata marrin sat ë duan, mund të shkojë deri në 500 mijë lekë për lindjen e një fëmije”, shton sërish njëra prej tyre. Atë moment më erdhi në mendje personi i cili ishte bërë baba në lagjen time dhe e kuptova se pse kushtuaka sot të kesh një fëmijë.]]>

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar