“Disidentët” e PS-së përfshihen në listat e PD-së

“Disidentët” e PS-së përfshihen në listat e PD-së

Kryeministri Sali Berisha deklaron se tre deputetët e përjashtuar nga Partia Socialiste, do të jenë pjesë e listave të Partisë Demokratike. “Kam një marrëveshje me tre deputetë të PS-së, të cilët me qëllimin e tyre të përgjegjshëm ndaj vendit bënë të dështojë përpjekja e fundit e Edi Ramës për t’u bërë kryeministër i pavotuar. Do

Kryeministri Sali Berisha deklaron se tre deputetët e përjashtuar nga Partia Socialiste, do të jenë pjesë e listave të Partisë Demokratike.

“Kam një marrëveshje me tre deputetë të PS-së, të cilët me qëllimin e tyre të përgjegjshëm ndaj vendit bënë të dështojë përpjekja e fundit e Edi Ramës për t’u bërë kryeministër i pavotuar. Do të mbetet në pankinë edhe për shumë kohë”, deklaroi sot kryeministri i vendit Sali Berisha.

Gjovalin Kadeli, Asllan Dogjani dhe Kastriot Islami e kanë mirëpritur ftesën e bërë nga kryetari i mazhorancës. “E dëgjova dhe e përshëndes këtë sinjal pozitiv të kryetarit të PD-së, Sali Berisha”, deklaron në fjalën e tij z. Kadeli.

Asllan Dogjani tha se arsyeja e pranimit të ftesës së PD-së s’ka të bëjë me interesat e tij personale, por e shikon si një mundësi për t’i shërbyer më shumë komunitetit. “Unë e vlerësoj ftesën e kryeministrit Berisha për të kandiduar me PD-në. E pranoj këtë ftesë jo për interesat e mia personale, por e shoh si një mundësi për të vazhduar kontributin tim në politikë dhe si një mundësi të madhe për t’iu shërbyer qytetarëve shqiptarë”, tha z. Dogjani.

Edhe Kastriot Islami është shprehur i vlerësuar nga propozimi i kryeministrit Berisha. “Vlerësoj maksimalisht dhe do ta konsideroj me shumë seriozitet propozimin e z. Berisha. Ky është një propozim që rezonon plotësisht me vendimin tim të hershëm për t’u angazhuar në politikë dhe për të qenë aktiv”, përfundon z. Islami.

/Osman Stafa/

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar