Unë Devollin “E kam dhembkë”

Nga: Marina Kërçeli Rrugët e kalldrëmta me trotuare dhe avlli mbuluar me lule dekorative, i shndërrojnë shtëpitë e banorëve në mrekulli…mrekulli mbuluar me tjegulla të kuqerremta.  “Kudo që jam në Shqipëri…edhe sot dëgjoj goditjen e tokës së Devollit…më ndjek gjithnjë, më ndjek fërfërima e fletëve, më ndjek cicërima e zogjve, më ndjekin pikat e shiut,

Nga: Marina Kërçeli

Rrugët e kalldrëmta me trotuare dhe avlli mbuluar me lule dekorative, i shndërrojnë shtëpitë e banorëve në mrekulli…mrekulli mbuluar me tjegulla të kuqerremta.

 “Kudo që jam në Shqipëri…edhe sot dëgjoj goditjen e tokës së Devollit…më ndjek gjithnjë, më ndjek fërfërima e fletëve, më ndjek cicërima e zogjve, më ndjekin pikat e shiut, që bëjnë pik pik në streha ime, më ndjek gurgullima e lumit të Devollit, më ndjekin këngët e vallet nëpër dasma…më ndjekin të gjitha këto.” (shkëputur nga intervista fundit e Dritëro Agollit marrë nga Andre Danglli)

Kujtdo që i është dhënë mundësia që ta vizitojë Devollin, ka marrë prej tij jo vetëm bujarinë, edhe mikpritjen e një populli plot me njerëz të mirë, të urtë, por edhe peizazhin edhe traditën e tij. Këtë vend të paqtë duket se dhe vetë zoti e ka bekuar duke e vendosur në një pozitë të rëndësishme strategjike, kufizuar me shtetin fqinj Greqinë prej të cilit, devollinjtë, sigurojnë kushte për zhvillimin ekonomik.

Devolli, emër i cili mbart vlera, me një popull shumë puntore, të heshtur, fjalëpak, të pa përtuar. Ky vend ka qenë i lakmuar për punëtorë brenda vendit nga shtetet fqinje. Zona e Devollit e ka marrë këtë emër nga sllavishtja “Deabolis” që nënkupton “ku të dhemb”.

Kjo është një krahinë që karakterizohet nga populli me një shprehje “E kam dhembkë”, e cila shprehte mallin për vendlindjen. Njerëzit e përdorën këtë shprehje për të emërtuar veten si popull fisnik edhe i dashur.

Devolli është i rrethuar me kodra e male të gjelbëruara, ku vendin kryesor e zë vargmali piktoresk i Moravës. Teksa hyn në brendësi të Devollit takohesh me qytetin e Bilishtit, i rilindur e i transformuar rrënjësisht: autostrada Cangonj – Kapshticë, unaza e re që e përshkon nga perëndimi, bizneset e shumtë.

Bilishti zotëron pozicion kyç pranë një gryke të volitshme për lëvizjen e njerëzve në të dyja anët, me një klimë mesdhetare, ku bën që qyteti të jetë i ngrohtë dhe herë i freskët, me dimër të ashpër dhe me dëborë. Sigurisht që pranvera dhe vjeshta kanë klimë të freskët. Vetë Bilishti është një qendër tregtare dhe biznesi, ku gjenden shtatë filiale bankash dhe dy fondacione, pa llogaritur zyrat e këmbimit të valutës. Qyteti ka pazarin e vjetër e të ri, me sokaqe të ngushtë e gurtë prej kalldrëmi, që edhe sot ruajnë konstruktin e qytetit të vjetër. Shëtitorja e qytetit është piktoreske, me lulishten e trëndafiltë, shumëngjyrëshe, me lokale të veçantë e të bukur, që ia shtojnë hijeshinë kësaj qyteze të begatë.

Rrugët e kalldrëmta me trotuare dhe avlli mbuluar me lule dekorative, i shndërrojnë shtëpitë e banorëve në mrekulli…mrekulli mbuluar me tjegulla të kuqerremta.

Historia na tregon se qyteti i njohur i Pelonit ndodhej diku afër grykës së Cangonjit, në një prej fshatrave të tij dhe kryeqendra e fisit ilir të Desarteve ndodhej në fshatinn e sotëm Pilur. Në këtë fshat historia ka ngulur këmbë, ku gjurma më e madhe është lufta e Aleksandrit i Madh. Kjo ngjarje historike na dëshmon ekzistencën e një popull të vjetër dhe present prej herët në këto zona.

Ndër personat që diti të vlerësojë punën, djersën e këtij vendi, me një kulturë të gjerë, ishte poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli. Në një takim me Shoqatën Atdhetare Kulturore ai shprehej “Në qoftë se në Shqipëri do të kushtohej një përmendore punës, në krye të saj duhet të zerë vend devolliu”. Agolli i ka dedikuar mjaft vargje devollit madje edhe një poemë në librin “Devoll-Devoll” (1964).

Një krahinë e mençur dhe njohur

Një krahinëme njerëzit e mençur, intelektualë e punëtorë të mëdhenj, mësues të shumtë që ka nxjerë kjo treve e që sot gjenden në tërë Shqiperinë nga veriu në jug, madje në tërë botën për agronomët specialistë e shkencetarë.

Një krahinëme mjekët e shumtë, kineastët e Shqiperisë, regjizorë e operatorë, që kanë bënë filma artistikë, të Dardhës të Hocishtit, të Progerit me Endri Kekon e të tjerë që përbënin bërthamën e kinostudios. Devolli lindi shkrimtarin e skenaristit të shumë filmave artistike,Teodor Laço, dhe një plejadë shkrimtarësh e artistësh të mëdhenj. Mandej Devolli rriti gratë inteligjente e të bukura , punëtore duararta të pashembullta, mjeshtre të ralla, që gatuajnë “arin e bardhe”, bukët e byrekët e të shijshëm. Emigrantët e këtij vendi kanë mbushur botën me breza e që me punën e tyre, vecanërisht në Amerikë, po ia ngrenë kokën Devollit e Shqipërisë. Nga këtu dolën mjeshtrat bujq dhe ata të ndërtimit, që kanë bërë emër në Shqipëri e më tej në botë.

Edhe pse një rrethinë kaq e vogël, ka ditur të nxjerrë prej djepit të saj brez pas brezi njerëz të shquar me plot dije që e duan arsimin, ku vlen të përmendet Ali Kërçeli ( Jashari) , lindur në fshatin Çipan tashmë është rektor i Universitetit të Korçës “Fan Noli”. Gjithashtu përveç poetit të madh Dritëro Agolli vlen të përmendet edhe Sefer Hoxhalli, Arben Shaholli  mësues të dy  në profesion të cilët kanë patur pasion artin dhe poezinë  me libra e tyre si: “ Agimi zgjuar më ka gjetur”, “ 1000 vjet duke ecur” etj

Devolli plot me ajër të pastër , gjelbërim kudo, xhami, kisha, tyrbe të lashta në brendësi të Devollit, ku më të njohurat janë: “Inonisht” vendi i shenjtë me teqenë e Kuçit, një vend piktoresk i magjishëm mes lisave shumëvjecarë, që çdo ditë është plot nga besimtarët e të gjitha feve,“Tyrbja e Kasëm babait”, “Satrivaçi”, janë dëshmia që devollinjtë si gjithë qytetarët e tjerë të Shqipërisë jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin pa dallim feje.

Si një krahinë plot traditë mbizotërojnë dhe valet popullore ku dallohet “Vallja devolliçe”. Është një valle e lashtë e luajtur brez pas brezi, e cila dallohet për dinamizmin, rritmin dhe elegancën , ku në Festivalin Folklorik Botëror në Moskë, “Vallja devolliçe” është vlerësuar maksimalisht në larminë e valleve nga e gjithë bota.

Devolli i mbuluar nga të dy brigjet me shelgje e me plepa të lartë, e ujevara nga malet e Gramozit një ndër malet më të larta të Shqipëris, që me gurgullimat e tyre, të japin një melodi muzikore.

Malet e mbrojnë Devollin, duke nisur prej tek Morava, pastaj Mali i Thatë , Maja e Ivanit të Madh dhe Ivani i Vogël.

Një tjetër pikë turistike është dhe Dardha me atratksione turistike të vjetra dhe të rinovuara  pistën natyrore të skijëve në malin e Gramozit, ku organizohen kampionate lokale e kombëtare të skive. Dardha është pikë shumë e rëndësishme për turizmin, për sportistët e borës dhe për të investuar nga biznesmenet.

Devollinjtë janë zotët edhe në prodhime artizanale

Devolli është vend me pasuri nëntokesore, si nikeli, ku gjendet miniera e Bitinckës dhe e Bilishtit, me qymyrgurin në kodrat e Dëmbravës, me rërën e pasur të qelqit në kodrat e Zicishit e tepanit, lëndë e parë për fabrikën e qelqit në Korcë. Në furrat e Trenit e të Progerit gjendet guri gëlqeror nga prodhohet gëlqerja.

Devollinj janë të zotët edhe në prodhime artizanale: si punimet e drurit, mobiljet, punimet me thupra shelgu për shporta e kanistra; perdet e kortinat nga më të shumëllojshme për dritaret, ballkonet, sallonet; prodhimin e gunave nga gratë mjeshtre të rrobaqepsive të Bilishtit; punimin me duar të fanellave e trikove prej leshi; punimet me grep të grave. Nga ana tjetër janë mjeshtrat skulptorë e gurgdhendës që stolisin muret jashtë e brenda vilave e lokaleve. Devolli dallohet edhe për prodhimet bujqësore e blegtorale, si: gruri, misri, thekri, elbi, duhani, patatja, panxhari i sheqerit, për pekmezin e Macurishtit nga lëngu i panxharit të sheqeriit, për turshitë e shumta të konsrevuara nga më të shijshmet, për kultivimin e perimeve nga burra e gra duararta, për rritjen e një blegtorie moderne si: lopa, delet, dhitë. Duke qenë se mbajnë bagëtitë shquhen edhe për përpunimin e qumështit, të gjalpit nga kosi.

Devolli njihet edhe për frutat e kulturën me vreshta, për plantacione me mollë, dardha,kumbulla, qershi, ftonj, arra, lajthi, gështenja  por veçanërisht për kumbullën e rrumbullakët të vendit.

Natën llamburisin dritat e shumta sa të duket vetja sikur je në fluturim, ndërsa poshtë teje gëlon një jetë e re e lidhur fort me fijet së shkuarës. Po, vazhdon një jetë që veç vjen e pasurohet me tradita.

*Fotot janë marrë nga https://bashkiadevoll.al/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar