Çelet ekspozita “400 vjet qytet – Gjurmët Islame në Tiranë”

0

Me rastin e 400 vjetorit të themelimit të Tiranës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë hapi sot ekspozitën “400 vjet qytet – Gjurmët Islame në Tiranë”.

Në ceremoninë e hapjes nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Klodian Shehi u shpreh se themelimi i Tiranës daton që  në vitin 1614, ku dhe u hodh gurthemeli i ndërtesës së parë, i Xhamisë së Vjetër nga Sulejman Pashë Bargjini, gurthmel i cili sot nuk ekziston më. “Mungesa e disa prej këtyre objekteve të kultit, dhe jo vetëm, është një humbje e madhe jo vetëm për memorien shpirtërore, por edhe atë kulturore, arkitekturore dhe urbanistike të qytetit”, nënvizoi z. Shehi.

Ndërsa Drejtori i Kulturës në KMSH, z. Genti Kruja u shpreh se teksa përkujtojmë këtë përvjetor nuk mund të mos përmendim edhe kontributin e paçmuar të klerikëve myslimanë, të cilët i dhanë jetë qytetit me ndërtimin e objekteve të kultit. “Xhamia-vendadhurimi, hamami-pastërtia dhe furra e bukës-ushqimi dhe begatia, këto tre objekte të ndërtuara 400 vjet më parë nga Sulejman Pashë Bargjini, u bënë pjesë e këtij qyteti dhe banorëve të tij, duke e bërë Tiranën një qytet simbol të mikpritjes dhe trashëgimisë kulturore”, tha z. Kruja.

Prefekti i Tiranës, z. Sadi Vorpsi teksa e cilësoi hapjen e kësaj ekspozite si eveniment të rëndësishëm, u shpreh se Tirana dhe banorët e saj me u mirësinë dhe butësinë e tyre u kanë hapur krahët dhe kanë ndihmuar gjithsecilin që ka ardhur këtu për të ndërtuar jetën e tij. “Sot ne themi me krenari se Tirana e përmbushi detyrën e saj si kryeqytet, por njëkohësisht me zhvillimet e fundit moderne ka akoma shumë punë për të bërë”, theksoi z. Vorpsi.

Drejtori i Kulturës në Bashkinë e Tiranë, z. Arben Skënderi uroi KMSH-në për këtë aktivitet të rëndësishëm. Ai u shpreh se “Bashkia e Tiranës në kuadër të 400 vjetorit të themelimit ë këtij qyteti ka vendosur të evidentojë disa momente të rëndësishme historike, siç është edhe ndërtimi i një instalacioni në formë memoriali në vendin ku ka qenë xhamia e vjetër, si dhe vendosja e monumentit të Sulejman Pashës në vendin ku i takon, përsa i përket rëndësisë historike që ai mbart.”

Ekspozita e cila mblodhi dhjetëra qytetarë të Tiranës, paraqet pamje të vjetra të qytetit që nga koha e themelimit e deri në ditët e demokracisë. Ekspozita u hap sot më 11 Shkurt 2014, datë  në të cilën është themeluar Tirana dhe do të qëndrojë e hapur për dy ditë në sheshin para Xhamisë së Et’hem Beut.

 /Objektiv.al/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here