Buxheti i 2012-s, Cani akuzon Boden për falsifikim shifrash

0

Miratimi i buxhetit faktit të shtetit për vitin 2012-të në Komisionin e Ekonomisë  është  shoqëruar me replika të ashpra mes ministrit aktual të financave Shkëlqim Cani dhe ish-ministrit Ridvan Bode.

Kreu i Financave akuzoi paraardhësin e tij dhe u shpreh se qeveria aktuale është detyruar të rrisë tavanin e borxhit publik për shkak të gropave të mëdha financiare që ka hapur qeveria e mëparshme, e cila përveçse la shtetin në gjunjë, manipuloi shifrat e buxhetit 2012.

“Borxhi i raportuar në buxhet me evidencat e vitit 2012 asnjëherë nuk ka qenë real, por me të është mashtruar. Më së paku një borxh në nivelin 500-700 milionë dollarë nuk është raportuar dhe ky me urdhër të vetë ish-ministrit të Financave, i cili ka falsifikuar realitetin. Po në vitin 2013 ky ministër ka falsifikuar me urdhër të tij të ardhurat nga privatizimet”, tha ministri Cani.

Ndërkohë  ka qenë i menjëhershëm reagimi i ish-ministrit Ridvan Bode, i cili është shprehur se ndonëse viti 2012 ka qenë më i vështiri për shkak të krizës globale, sërish qeveria “Berisha” arriti të ruajë në ekuilibër parametrat financiarë.

“Të jesh i bindur që nuk ka shkelje të asnjë ligji, të asnjë morali, sepse jemi orientuar nga rregulli, ligji dhe morali. Unë kam qenë dhe mbetem këtu para teje, zoti ministër. Nuk i takoj atij grupi që kin në mal dhe zbresin nga mali sa herë që ndryshon, bëhet interesant kursi i këmbimit i ‘exchangeve’ private, apo çmimi i patateve në tregun e politikës”, theksoi Bode.

Për Canin, situata aktuale e vendit është kritike dhe borxhi ka kapur nivele të larta, ai akuzoi ish-qeverinë se nuk mbajti limitin e borxhit 60 për qind. “Ish-ministrit të Financave i kam thënë një fjali tjetër nga ç’e interpreton: ka shkelur dy herë ligjin pa e ndryshuar ligjin. Edhe borxhin e ka tejkaluar kur ka pasur limit, edhe deficiti primar nuk është ashtu. E megjithatë, zoti ministër, ti vazhdo në rrugën tënde, po mbreti lakuriq është prapë. E shohin të gjithë, përveç teje, që po del në rrugë pa e kuptuar”, tha Cani.

Ndërsa Ridvan Bode akuzoi qeverinë se nuk po jep ndonjë shembull përgjegjshmërie mbi situatën e borxhit, kur në fakt është po kjo qeveri që vetëm për katër muaj të këtij viti mori borxh 240 milionë dollarë për të paguar rrogat dhe shpenzimet operative.

/Erilda Sulika/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here