Bumçi në Tetovë: Marrëdhëniet me Maqedoninë janë të shkëlqyera

Bumçi në Tetovë: Marrëdhëniet me Maqedoninë janë të shkëlqyera

Bashkëpunimi ekonomik, politik dhe kulturor midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe eurointegrimi ishin temat mbi të cilat u diskutua gjatë vizitës që ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, zhvilloi të martën në Tetovë. Ministri Bumçi u takua me kryetarët e dy partive më të mëdha shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, si

Bashkëpunimi ekonomik, politik dhe kulturor midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe eurointegrimi ishin temat mbi të cilat u diskutua gjatë vizitës që ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, zhvilloi të martën në Tetovë.

Ministri Bumçi u takua me kryetarët e dy partive më të mëdha shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, si dhe me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Mbështetja që Shqipëria i jep Maqedonisë do të vazhdojë edhe më tej. Ministri Bumçi tha se Shqipëria dëshiron që Maqedonia të shkojë përpara drejt anëtarësimit në NATO dhe të dyja vendet së bashku të bashkëpunojnë në sfera të ndryshme si në plan politik ashtu edhe në atë ekonomik”, theksoi pas përfundimit të takimit kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Numri një i diplomacisë shqiptare realizoi takim edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në selinë e kësaj partie në Tetovë. Z. Thaçi i shprehu kryediplomatit shqiptar pakënaqësinë e tij në lidhje me zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoni. Ai gjithashtu shtoi se, megjithatë, PDSH do të vazhdojë të japë mbështetje të drejtpërdrejtë politike për përshpejtimin e procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Po dje u zhvillua edhe takimi me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Gjatë bisedës u theksua nevoja për bashkëpunim rajonal me qëllim përshpejtimin e proceseve integruese të dy vendeve. Bumçi dhe Arifi folën gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, kulturore dhe ekonomike mes qytetit të Tetovës dhe Shqipërisë.

Më herët z. Bumçi mbajti një ligjëratë para studentëve dhe profesorëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës nën titullin “Eurointegrimet dhe anëtarësimi në NATO”.

Para ligjërimit, Bumçi ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera, sipas tij, midis Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe përpjekjet e tyre për hyrje më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Ai përkujtoi se këtë vit shënohet edhe 20 vjetori i vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Kjo ishte vizita e parë në Maqedoni e ministrit të Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, që prej emërimit të tij në këtë post.

/Romina Qama/

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar