Botohet në shqip, biografia e Mandelës

0

“Portret në foto e fjalë”, titullohet biografia e Nelson Mandelas ,e cila qëlloi të dilte e botuar në shqip, ditën e vdekjes së tij.

Autor i biografisë është vetë Mandela,  ndersa libri skicon jetën e tij nëpërmjet imazheve dhe citimeve të përzgjedhura me kujdes, shumica e të cilave janë marrë nga arkivi i tij personal. Ky portret me foto dhe fjalë na shpalos jetën dhe kurajën e pamasë të një individi të jashtëzakonshëm, jeta e të cilit ka aftësinë të na frymëzojë, të na prekë e të na motivojë. “Me një format tërheqës dhe të thjeshtë, ky libër ka për qëllim të na prezantojë Nelson Mandelën, nëpërmjet fjalëve të tij të mençura, imazheve goditëse të jetës dhe sendeve të tij personale, si edhe opinioneve të shumë të tjerëve, të marra nga burime të palexuara më parë”, thotë botuesja e “Pegit”, Loreta Bërhami.

I nderuar nga gjithë bota për guximin e jashtëzakonshëm dhe forcën e tij morale, Nelson Mandela konsiderohet si simbol i shpresës dhe i mundësive të pajtimit.

Jeta e tij ndikoi më shumë se çdokush tjetër në fitoren e idealeve të lirisë, të barazisë dhe të demokracisë në mbarë botën. “Jeta e Nelson Mandela-s është historia e njeriut që i bëri ballë cinizmit dhe dëshpërimit që aq shpesh mundojnë botën. Nga një i burgosur u bë njeri i lirë; nga një figurë luftëtare u bë një zë i apasionuar për pajtimin; nga udhëheqësi i një partie u bë presidenti i një vendi të tërë dhe i hapi rrugën demokracisë dhe zhvillimit. Ai ka bërë aq shumë për të ndryshuar vendin e tij, edhe botën, sa është e vështirë ta përfytyrosh historinë e këtyre dekadave të fundit pa të”, shprehet presidenti aktual i SHBA-ve Barack Obama.

/Elta Liksenaj/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here