Borxhi publik në nivelin 62,4 për qind

0

Borxhi publik në gjashtë muaj të parë të këtij viti ka arritur në 62.4 për qind, duke iu afruar limiteve të parashikuara me ligjin e buxhetit të vitit 2013 prej 62.8 për qind e Prodhimit e Brendshëm Bruto.

Banka Botërore edhe dy ditë më parë i bëri thirrje qeverisë që të jetë e kujdesshme, pasi gjithë hapësira fiskale është ezauruar. Por ç’do të thotë kjo? Në kushtet aktuale, huamarrja nuk mund të rritet më shumë, pasi deficiti ka arritur nivele rekord për shkak të investimeve të kryera në gjysmën e parë të vitit. Nga ana tjetër, në arkën e shtetit janë mbledhur më pak të ardhura sesa parashikimi, duke zgjeruar “gropën” e deficitit.

Ndërkohë që qeveria e re, që pritet të vijë në shtator, do të përballet me një borxh të lartë publik dhe do të jetë në dorën e saj nëse do të vendosë rritje të mëtejshme të tij apo caktimin e një rregulli fiskal për ulje.

Ndërkaq, pritet që qeveria aktuale normativ të bëjë së shpejti dhe rregullimet “tradicionale” në buxhet, duke ulur shpenzimet dhe duke moderuar edhe pritshmëritë për të ardhurat. Vetëm dy ditë më parë u morën edhe masat e para që ulnin shpenzimet operative të institucioneve dhe nga ana tjetër ngrin çdo lloj tenderi të pazhvilluar brenda datës 15 korrik.

Përveç Bankës Botërore, një institucion tjetër që ka theksuar shpesh uljen e borxhit është edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që sikurse është deklaruar nga qeveria në ardhje, do të vendoset sërish në vendin tonë pas disa viteve largim. Borxhi publik pritet të jetë një ndër fokuset kyçe të këtij misioni dhe asistencës së tij ndaj qeverisë.

/Erilda Sulika/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here