Bledar Naska: Gazetaria destinacion i detyrueshëm, por i suksesshëm

Bledar Naska: Gazetaria destinacion i detyrueshëm, por i suksesshëm

Bledar Naska ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme, më pas Akademinë e Arteve, ku është diplomuar në vitin 2005 si aktor. Gjatë shkollës ka prezantuar mjaft projekte, shfaqje dhe role të ndryshme. Një ndër rolet më të spikatura me të cilin ka arritur edhe kulmin e suksesit të tij, është roli i Stanly Kowalskit në

Bledar Naska ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme, më pas Akademinë e Arteve, ku është diplomuar në vitin 2005 si aktor. Gjatë shkollës ka prezantuar mjaft projekte, shfaqje dhe role të ndryshme. Një ndër rolet më të spikatura me të cilin ka arritur edhe kulmin e suksesit të tij, është roli i Stanly Kowalskit në veprën “Tramvaji me emrin dëshirë”. Kjo është një vepër e autorit amerikan Tennessee Williams, një nga veprat moderne më kulminante.

Bledar Naska është angazhuar edhe me projekte të tjera në RTSH. Dublime të ndryshme, shfaqje teatri me regji të Kiço Londos, rolin e dashnorit, roli i Jashes në veprën “Kopshti i Vishnjave” me autor Anton Pavlovich Chekhov, e vënë në skenë nga regjisori Kiço Londo në teatrin e Metropolit, roli i Ferdinantit në “Mundimet e humbura të dashurisë”, një nga komeditë e hershme të Shekspirit, etj.

Megjithë suksesin në aktrim, aktualisht Bledari është një nga gazetarët më aktivë në mediat shqiptare, duke u angazhuar në emisionin investigues “Fiks Fare”. Ky emision është një nga më të suksesshmit në tërë historinë e televizioneve shqiptare, ku një meritë të veçantë ka edhe Bledar Naska, tashmë në rolin e gazetarit investigues. Për të mësuar diçka më tepër lidhur me kalimin e Naskës nga fusha e aktrimit në gazetari, ne zhvilluam një intervistë të shkurtër me të.

 

Z. Naska përse hoqët dorë nga profesioni juaj i parë?

Siç ndodh në Shqipëri, disa profesione janë profesione për qejf. Një investim mjaft i dobët nga ana monetare dhe pothuajse fare në fushën e aktrimit më bëri që unë të ndahesha nga ky profesion shumë i dashur. Pra çështja ekonomike e mposhti pasionin tim. U shkëputa një herë, bëra një pause, më pas me erdhi një ofertë tjetër po nga regjisori im Kiço. U riktheva përsëri pas katër vitesh në teatër me mendimin se do të gjeja një ndryshim, por prapë u përballa me të njëjtën gjendje, e cila më bëri të shkëputem përfundimisht i  pakënaqur nga ky profesion mjaft i bukur dhe t’i përkushtohem gazetarisë.

Si ndjeheni në statusin e gazetarit?

Gazetaria sigurisht është një punë që e bëj me shumë dëshirë, pa ndjerë lodhje, edhe pse kërkon shumë përkushtim. Zhanri i gazetarisë që përfaqësoj unë nuk ka të bëjë me një informacion të thjeshtë ku merr plane apo të bëj një kronikë informative të thatë, pra nuk është format lajmi. Gazetaria që unë përfaqësoj kërkon një dëshirë  dhe një impenjim  të lartë të vendosur si synim në vetvete.

A hasni probleme në punën tuaj, duke qenë se gazetaria investigative është e rrezikshme dhe e lodhshme?

Nuk më pengon fare lodhja, sesa vështirësitë nga të papriturat që na shfaqen çdo hap në këtë lloj formati që unë përfaqësoj. Kam pësuar aksident shumë të rëndë me makinë, kam rrezikuar jetën time dhe të familjes, jemi përmendur në spital. E dija shumë mirë se kush ishte personi që ishte në ndjekje. Edhe pse më kanë çarë buzën, më kanë bërë me gjak, unë përsëri e kam gëlltitur në bark për të mos i treguar të tjerëve pengesat që përballesha.  Kam heshtur e kam duruar dhe kam vazhduar drejtimin e duhur deri sa kam mbyllur punën. Duke qenë i ri, kam dëshirë, pasion, vullnet, fuqi dhe energji, cilësi të cilat nuk më lënë të lodhem, që më bëjnë t’i fshij nga mendja problematikat me të cilat përballem gjatë punës.

Çfarë  zhanri të gazetarisë i sugjeroni studentëve, apo edhe gazetarëve që janë në hapat e parë të profesionit?

Unë mbështes dhe flas më mirë për gazetarinë invetiguese. U bë një periudhë prej  shtatë vitesh që merrem me këtë punë dhe jam mjaft i kënaqur me këtë që kam arritur deri më tani dhe nuk kam ndërmend të ndaloj së shërbyeri misionit që i takon të gjithë gazetarëve. Këshilloj këtë lloj zhanri se është gazetaria më aktive, je në lëvizje, ka disa elemente që e bëjnë akoma më të bukur profesionin, hulumton në probleme të ndryshme si në korrupsion, në padrejtësi etj. Gazetarët e sotëm janë bërë luks të dalin çdo ditë në TV, të zënë faqet e para të gazetave si analistë, publicistë, që unë akoma nuk kam arritur ta kuptoj se ç’qëllim kanë. Të bërit gazetari në ditët e sotme e shohim shumë të nevojshme, nuk shohim një kërkim më në detaje. Gazetarinë investiguese ja këshilloj shumë personave të cilët janë në hapat e parë të gazetarisë, të jep më shumë informacion, një bagazh shumë më të gjerë në fusha të ndryshme. Gazetar shumë të mëdhenj në botën investiguese kanë arritur sukses, janë personazhe që tronditin dhe kanë kthyer pushtete e kanë rrëzuar qeveri, kanë futur në burg ministra etj. Ne nuk ndryshojmë ligje, ne thjesht themi që këtu është vepruar gabim me ligjin, apo nuk janë zbatuar ligjet, se është bërë korrupsion apo padrejtësi. Media respekton dhe zbaton ligjet si çdo individ apo çdo institucion tjetër. Gazetaria invetigative është gazetaria e cila të bën vërtet të ndihesh gazetar.    

A janë të shumtë ata njerëz të cilët vijnë e përplasen në dyert e institucionit ku ju punoni?

Rastet janë të pafund që vijnë tek ne. Që të gjithë janë persona të zhgënjyer nga institucionet përkatëse, të cilët duhet t’i mbaronin punë këtyre njerëzve. Gjëja më e bukur e një gazetari është kur vijnë njerëz dhe të takojnë, ku kanë krijuar një besim  mjaft të madh për çështje të ndryshme. Këta janë ata njerëz të shumtë në numër dhe në shtim me problemet akoma më të shumta dhe më të mëdha që hasin. Ne i kemi dalë në mbështetje dhe në ndihmë problemeve të tyre me punën që po bëjmë.

Si e gjykoni rolin e gazetarit investigues? A duhet të kemi angazhim më të madh të këtyre gazetarëve?

Jo të gjithë e bëjnë, kemi shumë raste abuzimi në këtë punë. Ngrihen shumë qarqe të ndryshme  për të siguruar një miqësi të mirë me politikanë për të siguruar një mbështetje ekonomike, krijojnë institucione për interesa personale. Emisionet investigues janë shumë të rradhë, njerëzit që e bëjnë këtë punë janë të pakët. Mendoj se në këtë rast duhet të kemi persona  të rrallë dhe cilësorë, sepse në këtë aspekt kemi të bëjmë me  çështjen e besimit të gazetarit nga publiku i gjerë. Duhet të kemi diçka të radhë të frytshme e të besueshme. Gazetaria investigues ka sqaruar shumë gjëra, ka ngritur shumë pyetje, është për të përmirësuar qeverisjen, ligjet, ne kemi zgjidhur shumë probleme.

Ndonjë sugjerim apo këshillë për ata që merren me gazetarinë  invetigative?

Të kenë shumë kujdes, të mos bien në amatorizma, të mos bien pre e qejfit, që të mos u rritet mendja se po bën një ivestigim, të mos kalojnë në spektakël. T’i shërbejnë personit apo objektit që ke përpara dhe të punojnë  në të çuarin drejt zgjidhjes se problemeve. Sa për zhanrin e gazetarisë informuese duhet të kemi kujdes në raportimin e lajmeve.

Televizionet në Shqipëri bëjnë gafa të rënda nga më të papranueshmet në shoqëri të cilat po ndikojnë keqinformim. Kohëve të fundit kemi hasur mjaft raportime, nga me të ndryshmet. Raportime  të shfrytëzimeve të  fëmijëve që lypin, që rrihen e copëtohen. Kronika që japin thjesht një pasqyrim të thatë të fenomenit, gjëja sikur  ne jemi duke gjurmuar fëmijë të varfër, që punojnë në rrugë, gjë  e cila ndikon akoma më keq në nxitjen dhe në shtimin e këtyre rasteve që ne shohim e dëgjojmë çdo ditë.

Një rast tjetër fenomen që nuk ndodh në asnjë vend tjetër në botë, veçse tek ne, janë dhe  raportimet e policisë, të cilat merren direkt nga media, pa u verifikuar mirë dhe përcillen ashtu siç ato na e dërgojnë, dhe më pas del se ky njoftim nuk është i saktë dhe përgënjeshtrohet me një lajm pasues. Ku në disa raste ndodh që edhe policia e përgënjeshtron raportimin e dhënë më parë me një raportim tjetër pasues apo akoma më keq kur policia të njofton për një ngjarje të ndodhur apo për një person të akuzuar dhe këtë njeri e shohim të lirë. Verifikimi i lajmit është një pikë e cila duhet mbështetur shumë dhe kërkon një përkushtim serioz, duhet të kemi kujdes me raportimin e emrave të personave apo institucioneve të ndryshëm, se në të kundërt do të njollosim njerëz të pafajshëm.

Media me këtë trajtim që bën po ndikon pozitivisht në shtimin e këtyre rasteve, por publiku nuk kërkon këtë, kërkon një zgjidhje të problemit, duhet sqaruar me bazë ligjore nga çdo gazetar. Duhet të përplasim fenomenin me ligjin, duhet të japim se cila është zgjidhja. Te trajtohet dhe sqarohet problemi  nga  A-ja deri te Zh-ja.

I sugjeroj çdo studenti që e fillon këtë zanat të mos lodhet nga kjo punë dhe të mos t’i bjeri shkurt gjatë punës. Dil njëherë në rrugë dhe shih se ç’të vret syrin dhe mendo se cila është zgjidhja e këtij problemi, përqase me librat, me ligjet, përplase me atë se çfarë duhet të ishte në të vërtetë se çfarë ne shohim të bëhet me jetën tonë.

Nëse i ke hyrë kësaj rruge, a ke marrë përsipër të më informosh?  A je prezent në çdo familje? Në çdo televizor? A ke marrë përsipër misionin e informimit?! Të lutem shumë më informo dhe më jep drejtim, ose për ndryshe hiq dorë nga ky profesion. Biznes për veten tënde shko shit fara dhe mos bëj biznes me televizion. Televizioni  dhe gazetari  shërben dhe ka një mision.

 

Intervistoi: Altin TUFA

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar