“Bedër” nis punimet për kampusin e ri universitar

“Bedër” nis punimet për kampusin e ri universitar

Ceremonia e organizuar me këtë rast u përshëndet nga kryeministri Sali Berisha, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, drejtori i Bordit Drejtues të Fondacionit “Sema”, Asim Budak. Ata vunë në dukje rëndësinë që ka kjo ditë në përmbushjen e misionit të universitetit për të qenë një institucion i arsimit të lartë me

Ceremonia e organizuar me këtë rast u përshëndet nga kryeministri Sali Berisha, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, drejtori i Bordit Drejtues të Fondacionit “Sema”, Asim Budak. Ata vunë në dukje rëndësinë që ka kjo ditë në përmbushjen e misionit të universitetit për të qenë një institucion i arsimit të lartë me standarde bashkëkohore.

Në fjalën e tij kryetari i KMSH-së, Selim Muça, u shpreh se puna e bërë në pak vite nga ana e stafit të universitetit dhe mbështetësve të tij, ka bërë që Universiteti Hëna e Plotë – Bedër të ngjitet në listën e institucioneve arsimore më të mira në vend dhe më gjerë. Ai falënderoi , Qeverinë shqiptare, fondacionin Arsimor dhe Kulturor “Sema” për mbështetjen që i kanë dhënë universitetit që nga momenti i themelimit të tij.

Ndërsa drejtori i Bordit Drejtues të Fondacionit “Sema”, Asim Budak, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ceremoni, u shpreh se momenti i fillimit të punimeve në kampusin e universitetit tregon më së miri vendosmërinë për të ecur përpara drejt konsolidimit të një institucioni modern që do t’i shërbejë jo vetëm studentëve që vijnë nga Shqipëria, por edhe më gjerë.

Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij vuri theksin në arritjet e universitetit në dy vitet e veprimtarisë së tij, duke e konsideruar kontributin akademik dhe shkencor si vlerë në rrugën e dijes dhe të edukimit të brezave.

“Së pari, më lejoni që në emër të Qeverisë t’u përcjell ju urimet më të përzemërta për arritjet tuaja që në një hark dyvjeçar keni shënuar në punën tuaj të madhe. Me përkushtimin tuaj ju jeni shndërruar në një universitet të njohur mbarëshqiptar, në një universitet të njohur ndërkombëtar, një universitet i cili zhvillon me bazën dhe pajisjet më moderne ka 18 programe dhe pranon studentë, deri tani nga 12 vende dhe kombe”, theksoi kreu i Qeverisë para të pranishmëve.

Në ceremoni merrnin pjesë përfaqësues të Qeverisë, përfaqësues të trupit diplomatik, rektorë dhe akademikë nga universitetet shqiptare, studentë e prindër, si dhe shumë qytetarë të ardhur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Të dhëna mbi universitetin dhe kampusin e ri

Universiteti Hëna e Plotë – Bedër u themelua në prill të vitit 2011 me vendim të Këshillit të Ministrave, me anë të të cilit u miratua dhënia e licencës për ushtrimin e aktivitetit si një institucion i arsimit të lartë, duke ofruar programe studimi të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë.

Universiteti Hëna e Plotë – Bedër çeli dyert për studentët e parë më datë 3 tetor 2011, duke shënuar kështu fillimin e aktivitetit akademik dhe kërkimor. Universiteti është i organizuar në dy fakultete, 6 departamente dhe 19 programe studimi në ciklin e parë dhe të dytë, si në Drejtësi, Shkenca Komunikimi, Shkenca Islame, Gjuhs dhe Letërsi Angleze, Gjuhë dhe Letërsi Turke dhe Shkenca Edukimi.

Në dy vitet e aktivitetit të tij, Universiteti Hëna e Plotë – Bedër numëron rreth 500 studentë në 7 programe bachelor dhe 12 programe master. Me studentët nga 15 shtete të ndryshme dhe me një staf akademik që përbëhet nga pedagogë të ardhur nga 8 vende, universiteti ka konsoliduar tashmë një profil të qartë ndërkombëtar.

Kërkimi shkencor është një ndër shtyllat kryesore të misionit të këtij universiteti. Për këtë arsye në dy vitet e para të aktivitetit u organizuan 6 konferenca shkencore në nivel ndërkombëtar dhe 3 konferenca kombëtare. 250 kumtesa të paraqitura dhe më shumë se 300 referues, nga afro 20 vende të botës janë një kontribut i rëndësishëm në fushën e kërkimit shkencor.

Marrja e dijeve për studentet e universitetit i kalon kufijtë e tij. Bashkëpunimi i Universiteti Hëna e Plotë – Bedër me universitete në vende të ndryshme të botës, u krijon studenteve mundësinë e përfitimit te eksperiencës ndërkombëtare, nëpërmjet programeve të shkëmbimit.

Vetëm gjatë vitit akademik 2012-2013 janë 12 studentë të cilët vazhdojnë studimet për një semestër në universitete të ndryshme jashtë vendi.

Kampusi i ri universitar

Investimi në kampusin e ri universitar përbën një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e universitetit Hëna e Plotë – Bedër. Ky kampus do t’i shërbejë më së miri plotësimit të objektivave për të qenë një institucion arsimor me standarde të larta, në shërbim të studentëve dhe komunitetit.

Investimi për kampusin e ri arrin shifrën e 20 milionë eurove, së bashku me ambientet laboratorike. Kampusi universitar do të ndërtohet mbi një sipërfaqe të hapur rreth 10 500 m2 dhe në fazën finale të tij do të arrijë në afro 20 000 m2 sipërfaqe të brendshme.

Kampusi është projektuar si një hapësirë e pajisur me teknologjinë më bashkëkohore, në mënyrë që t’u ofrojë studentëve avantazhe të mëdha si në kryerjen e aktivitetit të tyre mësimor, por edhe në ndjekjen e aktiviteteve sociale.

/Objektiv/

beder-punimet1

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar