Autostrada Prishtinë–Shkup, nuk publikohet kostoja

0

Autoritetet  e Prishtinës patën deklaruar  se në pranverë  të këtij viti do fillonin punimet për  ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, por deri më tani nuk është zgjedhur ende as kompania fituese e këtij projekti. Kjo kompani duhet të zgjidhej në muajin mars,  kohë kur duhet të deklarohej edhe kostoja  finale e ndërtimit.

Kaqusha Jashari, ish-udhëheqëse në Drejtorinë e Rrugëve të Kosovës, ka thënë se është obligim i ekzekutivit që të tregohet çmimi i projektit dhe të definohet edhe pjesa financiare. “Patjetër duhet të dihet, sepse është planifikimi buxhetor dhe paguhet nga buxheti, kur të bëhet finalizimi bëhet edhe kostoja. Unë mendoj se te ne nuk janë transparente as çmimi, as kushtet tjera”, ka thënë ajo.

Jashari ka theksuar se është në interes të shoqërisë bërja publike e çmimit të projektit. Ajo  madje ka shfaqur dyshimin se ky qëndrim fsheh interesa të caktuara nga palët që menaxhojnë procesin.

“Aty ka interesa edhe tjera, përpos të pushtetit. Unë nuk kam argumente të them se a ekzistojnë keqpërdorime, por gjithçka që është e mbyllur, lë hapësirë për dyshime. Ky projekt është aq madhor, i cili kërkon transparencë të madhe ashtu siç kërkon autostrada Kosovë-Shqipëri”, është shprehur Jashari.

Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës,  pati thënë për Radion Evropa e Lirë  se kostoja e përafërt e çmimit nuk mund të bëhet publike për shkak të  procesit dhe ndjesisë së projektit.

Më herët Banka Botërore i pati kërkuar qeverisë së Kosovës ta ndërronte projektin për autostradën Prishtinë–Shkup për shkak të kostos së lartë të këtij projekti, duke qenë se përfshin edhe dy tunele. Alarmi i Bankës Botërore vjen pasi  edhe rruga 7 që përfshin autostradën për në Morinë, në drejtim të Merdarës, i ka tejkaluar kostot e parashikuara.

Projekti për realizimin e rrugës prej 55 km, që do të lidhë Maqedoninë me Kosovën, u prezantua në vitin 2010. Shoqata të ndryshme joqeveritare kanë vlerësuar se projekti do të kushtojë nga 500 deri në 800 milionë euro.

 /Elta Liksenaj/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here