Ali Podrimja përkujtohet në Festivalin Poetik të Francës

Ali Podrimja përkujtohet  në Festivalin Poetik të Francës

Poeti i ndarë nga jeta një vit më parë  është përkujtuar në Festivalin Poetik te Frances ”Voix de la Méditerranée”, i sponsorizuar nga UNESCO. Në ceremoninë e hapjes së Festivalit, u përkujtua poeti Ali Podrimja, i cili një vit më parë humbi jetën pikërisht në këtë vend. Nuk u lanë pa përmendur dhe vargjet e

Poeti i ndarë nga jeta një vit më parë  është përkujtuar në Festivalin Poetik te Frances ”Voix de la Méditerranée”, i sponsorizuar nga UNESCO.

Në ceremoninë e hapjes së Festivalit, u përkujtua poeti Ali Podrimja, i cili një vit më parë humbi jetën pikërisht në këtë vend. Nuk u lanë pa përmendur dhe vargjet e tij si një testament poetik, ku poeti shprehte dëshirën të vdiste me sytë hapur duke parë nga qielli.

Poezia shqipe këtë vit përfaqësohej nga poetja Rita Petro (Filipi) nga Shqipëria dhe poeti i ri nga Kosova Ndriçim Ademaj. Gjatë takimeve poetike iu bë një prezantim mjaft dinjitoz poezisë dhe kulturës shqipe, e veçanërisht vjetërsisë së gjuhës shqipe.

Për poetët e ftuar nga Shqipëria dhe Kosova ishin rezervuar disa takime poetike, ku leximet në gjuhën shqipe shoqëroheshin me leximet nga aktorë francezë. Mjaft interesante ishin takimet poetike në lumin plot gjelbërim të Lodeves, ku njerëzit dëgjonin me këmbët e futura në ujë.

Poezia e Rita Petros dhe e Ndriçim Ademaj u duartrokit dhe u prit me një interesim mjaft të madh nga studiuesit e poezisë, nga poetët e ftuar si dhe nga lexuesi francez.

Në Antologjinë e botuar prej Festivalit Ndriçim Ademaj u përfshi me poezinë “Mon Amour”, ndërsa Rita Petro me vargjet e librit “Shija e instinktit”. “Pasioni dhe energjia femërore, zbulim aq hapur i nënvetëdijes, guximi i poeteshës shqiptare Rita Petro për të krijuar një komunikim aq intim me lexuesin, u vlerësuan nga auditori francez si surpriza të Festivalit poetik 2013.

Në  këtë festival të përvitshëm ishin të ftuar më shumë se 150 artistë: poetë, shkrimtarë, artistë të arteve pamore, balerinë, muzikantë nga i gjithë Pellgu i Mesdheut.

Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme Rilindja, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kalon në Edicionin e Botimeve “Rilindja”, ku drejton bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave.

Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i PEN-it shqiptar, ai në vitin 1996 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt i saj.  Me shkrime filloi të merret që në shkollën e mesme. Poezinë e parë e kishte botuar në revistën “Jeta e re” në vitin 1957. Autor i shumë librave me poezi, ai njihej edhe për shkrimin e eseve dhe tregimeve që e kishin bërë fitues të shumë çmimeve të ndryshme letrare.

Ali Podrimja u gjet i vdekur më 21 korrik 2012 në një zonë malore të Francës, rreth 4 kilometra larg qytetit Lode, ku zhvillohej festivali i poezisë.

/ Elta Liksenaj /

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar