Aida Hani dikur performuese e skenave, sot zgjedh artin e rrugës

0


Nga Joana Spaho dhe Arjana Miha

E quajtur ndryshe si “Rruga e artistëve”, Pedonalja e Tiranës mbledh çdo ditë muzikantë, instrumentistë, piktorë e artizanë të ndryshëm.

Sot, edhe pse një ditë e ftohtë shkurti, kjo rrugë na takoi me violinisten Aida Hani. Në momentin kur po shkonim drejt saj, po luante një pjesë nga Moxart-i. Gishtat i ishin skuqur prej të ftohtit ndërkohë që vazhdonin të rrëshqisnin bindshëm mbi telat e violinës.                      

Aida është 38 vjeç, me origjine nga Mati, por lindur në qytetit e Korçës. Që në moshën 6 vjecare mori njohuritë e para për violinë në shkollën e Muzikës “Tefta Tashko Koço”. Me përfundimin e Liceut, ka shëtitur në shumë vende të botës si Berlin, Paris, Londër, Stamboll, Ankara etj ku është formuar profesionalisht.  Kur ndodhej në Berlin, profesori i muzikës i ka dhuruar violinën e së bijës, të cilën ajo e mban ende e sot në duar.

“Është violina ime e pare”: shprehet ajo, “Mbretëresha e Gjermanisë.  Aso kohe duhet te sakrifikoja shumë dollarë për ta blerë, të cilat faktikisht nuk i kisha ose duhet të sakrifikoja diçka tjeter, por fatmirësisht profesori im u tregua shumë bujar me mua”.

Përveç violinës, Aida di të luajë edhe në kitarë dhe piano. Mund të bëjë kompozime madje dhe këndon. Ajo ka marrë pjesë në festivalin e muzikës moderne shqiptare, Top Fest si dhe në Këngën Magjike. Për disa vite ka qenë violiniste e parë në një nga orkestrat simfonike të Londrës si dhe ka performuan në skena të mëdha botërore.

Në krijimtarinë e saj, mund të përmendim tre albume muzikore.  Albumi i parë është “Nje botë tjetër” i  cili gjendet në Top Records, ndërsa dy albumet e tjera janë “Nice to meet you”  dhe “I deal” të cilat gjenden në YouTube.

Edhe pse dikur artiste e skenave të mirëfillta, sot ajo  preferon të bëjë art në natyrë, mes ajrit dhe larg kamerave.

Emocionet janë po ato”, rrëfen po me emocion Aida. “Unë luaj për njerzit, si këtu ashtu dhe në skenë. Më pëlqen që iu fal kënaqësi kalimtarëve të zakonshëm, por ndihem akoma më mirë kur edhe marr prej tyre”.

Një ditë e zakonshme për të është të dalë në “Pedonale” me violinën që e do aq shumë. Ndonjëherë kushtet atmosferike nuk janë dhe aq të favorshme, ashtu si dhe sot, por Aida është aty, paradite dhe pasdite duke dhënë art nga shpirti i saj.  Edhe pse mund ta shohim çdo ditë në “Pedonale”, Aida performon edhe afër digës të liqenit, pranë rrugës të Kavajës, në Bllok, pra në hapësira të cilat nuk dynden me automjete.   Ndërsa verën e shkuar, ajo vendosi të bënte diçka ndryshe. Kështu lëvizi në qytetet më kryesore të vendit, nga veriu në jug, duke dhuruar nga pak kënaqësi për të gjithë.

Aida, performon çdo ditë pjesë nga më të ndryshmet si të kompozitorëve shqiptarë ashtu e të huaj.

Janë të shumtë kalimtarët të cilët më kërkojnë të luaj pjesë të ndryshme, e gjithmonë përpiqem t’i përmbush dëshirat e tyre. Më të zakonshmet janë kompozimet e  Bethoven-it, Vivaldit-it,  Zeits-it, Moxart-it, si dhe të kompozitorëve shqiptarë  Ferdinand Dedës apo Pjeter Gacit,  ku njëkohësisht janë dhe kompozitorët e mi të preferuar qysh nga fëmijëria”, tregon me ngazëllim ajo.

Përveç të bërit art në rrugë, ajo merret dhe me aktivitete të tjera artistike. “Para pak kohësh mora pjesë në një koncert recital në Korçë, pranë muzeut Bratko, ku mbizotëroi muzika klasike. Gjithashtu, për Vitet e Mbretit Zog, është realizuar një aktivitet për modën e atyre viteve dhe me violinë shoqëruam vajzat që mbanin veshur veshje të atyre viteve” thotë Aida.                                                                                      

Kur e pyetëm në ka ndonjë ëndërr peng, u mendua pak pastaj u përgjigj : “Lidhur me muzikën, jo! Çdo gjë që dua të bëj me muzikën, e bëj, e bëj përditë.  Ndërsa në aspekte të tjera, Çfarë është në dorën tënde ti do ta bësh për mbrekulli, por çfarë nuk është duhet të jetë dhe fati në mes që çdo gjë të shkojë sipas dëshirave dhe vullnetit tënd”.

Të bësh art në rrugë është diçka normale. Shumë qytete në botë janë të mbushura plot e përplot me artistë. Pasi e pyetëm se si shihen ata nga shqiptarët, ajo u përgjigj: “Me thënë të drejtën, në fillim, e kam fjalën për vitin 2013, kur unë dola dhe për herë të parë në “Pedonale”, shqiptarët nuk ishin mësuar akoma me këtë trend të ri të të bërit muzikë. Por duke lëvizur jashtë nëpër botë, duke parë e dëgjuar, tashmë e vlerësojnë shumë më shumë punën që ne bëjmë”, tregoi teksa shihte pedonalen me njëfar nostalgjie.

Sot, janë të shumtë artistët e rrugës që luajnë në instrument apo këndojnë. Aida përmendi Fabjo Stolin, Adi Sulejmanin të cilët aktualisht janë studentë në liceun e arteve të bukura por i gjen të performojne çdo ditë në rrugë. Ajo tregoi se shumica e kalimtarëve e vlerësojnë artin që bëjnë por gjithsesi nuk mund të themi se bën të me para.Si unë dhe gjithë të tjerët fitojmë nga pak, por jo aq sa për të jetuar në luks”, tha ajo.

Rastësisht, kur po mbyllnim bisedën, u afrua një vajzë rreth të trembëdhjetave me violë në duar dhe i kërkoi Aidës të luanin një pjesë së bashku. Ajo nuk nguroi. Zgjodhën një kompozim muzikor dhe filluan të luanin.

Dukeshin aq bukur. U krijua një atmosferë e mrekullueshme edhe pse qielli ishte i zymtë.

Kështu kupton se artistët e rrugës kanë një shpirt shumë të madh, dhe se jo më kot quhen artistë!

Tiranë 2019

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here