13 % e shqiptarëve marrin ushqimet me lista

13 % e shqiptarëve marrin ushqimet me lista

Shqiptarët janë të prekur nga kriza dhe tendenca e përkeqësimit të situatës së borxheve. Krahas borxheve të marra nga bankat dhe nga të afërmit, shqetësuese paraqitet fakti se pjesa më e madhe e borxheve merret për t’u ushqyer dhe  sigurohet duke marrë hua para në dorë te të afërmit, si dhe me shënimin e emrit

Shqiptarët janë të prekur nga kriza dhe tendenca e përkeqësimit të situatës së borxheve. Krahas borxheve të marra nga bankat dhe nga të afërmit, shqetësuese paraqitet fakti se pjesa më e madhe e borxheve merret për t’u ushqyer dhe  sigurohet duke marrë hua para në dorë te të afërmit, si dhe me shënimin e emrit në listat e dyqaneve.

Gjenda e vështirë në të cilën ndodhen shqiptarët mësohet përmes anketës së realizuar nga Banka e Shqipërisë, realizuar duke pyetur 1210 familje të shpërndara në 16 rrethe të ndryshme të vendit, në periudhën nëntor- dhjetor 2012, ku 13 % e tyre kanë lista në dyqane dhe 70 % e anketuesve nuk presin përmrëisim.

Në totalin e familjeve të intervistuara, rreth 33 % e kampionit (401 familje) pohojnë se kanë një hua të papaguar, e cila shënon  një rritje me rreth 2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar (janar-qershor 2012). Në 45% të rasteve, familjet huamarrëse deklarojnë se e kanë siguruar huan nga burime formale, si “banka” (39%) dhe “institucione të tjera financiare jobanka” (6%) dhe 54% të rasteve, familjet huamarrëse deklarojnë se u janë drejtuar burimeve informale si “persona fizikë” (41%) dhe “hua nga dyqanet” (13%).

Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 7% e këtyre familjeve kanë më shumë se një hua të marrë nga burime të ndryshme, kryesisht bankë dhe person fizik. Qëllimet kryesore të marrjes së huas nga familjet mbeten: “blerja/riparimi i një prone të paluajtshme” në 33% të rasteve duke shënuar një rënie me rreth 3 pikë përqindje krahasuar me 6 mujorin e parë 2012, “konsumi” në 32% të rasteve është rritur me 4 pikë përqindje krahasuar me gjashtë mujorin e kaluar dhe “zhvillimi i biznesit” në 15% të rasteve.

Euroizimi i huamarrjes së familjeve vazhdon të jetë i ulët (92 % e rasteve është në lekë), kryesisht për shkak të huamarrjes së lartë nga persona fizikë. Koha e mbetur për shlyerjen e stokut të huas në momentin e intervistimit, është kryesisht “deri në 12 muaj” në 41% të rasteve dhe “1-3 vjet” në 34% të rasteve.

Rritja e borxheve ka ardhur si pasojë e rënies së të ardhurave dhe rritjes së shpenzimeve. Të anketuarit  kanë deklaruar se nuk kanë shpresa për përmirësimin e të ardhurave të tyre  edhe për 6-mujorin në vazhdim. Sigurimi i të ardhurave vjen nga vetëpunësimi, pensioni, puna ne sektorin privat. Ndërkohë pesha e emigracionit si burim të ardhurash nuk ka ndryshuar në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2012.

/Enkeleda Cami/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar