Banorët e Golemit pa ujë të pijshëm prej 6 ditësh, Ujësjellësi: Nuk kanë paguar detyrimet

Banorët e Golemit pa ujë të pijshëm prej 6 ditësh, Ujësjellësi: Nuk kanë paguar detyrimet

Zona turistike nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem prej 6 ditësh nuk furnizohet me ujë. Kjo ka bërë që mbi 100 mijë banorë, pushues dhe biznese të mbeten pa ujë të pijshëm. Për këtë arsye ata i janë drejtuar Komunës së Golemit dhe Ujësjellësit të Kavajës e të Durrësit me një peticion të firmosur

Zona turistike nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem prej 6 ditësh nuk furnizohet me ujë. Kjo ka bërë që mbi 100 mijë banorë, pushues dhe biznese të mbeten pa ujë të pijshëm.

Për këtë arsye ata i janë drejtuar Komunës së Golemit dhe Ujësjellësit të Kavajës e të Durrësit me një peticion të firmosur nga së paku 700 persona. Në peticion kërkohet marrja e masave urgjente për furnizimin me ujë të pijshëm, mungesa e të cilit ka sjellë si pasojë uljen në masë të numrit të pushuesve si dhe humbje tepër të mëdha financiare, ndërsa tregtimi i ujit të pijshëm është kthyer aktualisht në biznesin më fitimprurës në këtë zonë.

Zona turistike në fjalë furnizohet me ujë të pijshëm nga rezervuari i Manskurisë, që është në varësi të Ujësjellësit të Kavajës. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, drejtori i Ujësjellësit të Durrësit, Doklead Ademi, deklaron se Ujësjellësi i Kavajës ka mbyllur saraçineskën kryesore të furnizimit me ujë të Shkëmbit të Kavajë, pasi pretendon se nuk janë paguar detyrimet.

Zoti Ademi, pse zona e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit nuk furnizohet me ujë të pijshëm? 
Ne si drejtori e Ujësjellësit në Durrës, kemi në varësi zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku kemi investuar për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm në këtë zonë. Zona furnizohet me ujë nga rezervuari i Manskurisë, që është në varësi të Ujësjellësit të Kavajës. Por u bë disa ditë që Ujësjellësi i Kavajës ka mbyllur saraçineskën kryesore, duke lënë pa ujë zonën turistike. Ujësjellësi i Kavajës ka shkelur kontratën, ku 25% e sasisë së ujit të prodhuar nga Manskuria i kalonte kësaj zone.
Po për zonën e Golemit pse është ndërprerë uji? 
Zona e Golemit është në varësi të Kavajës. Edhe në këtë zonë është e njëjta problematikë dhe është faji i Ujësjellësit të Kavajës. Nuk e di ku po e çon ujin, por di të them që situata është kritike dhe e rëndë.
Si do t’i jepet zgjidhje kësaj situate? 
Kryeinxhinieri i Ujësjellësit të Durrësit ka kontaktuar me Drejtorin e Kavajës dhe kemi gjetur një zgjidhje alternative, që shpresojmë të zbatohet. Sonte (mbrëmë) në orën 22 të mbrëmjes, do të bëhet furnizimi me ujë gjatë natës i zonës së Shkëmbit të Kavajës, ndërsa të martën gjatë ditës do të furnizohet zona e Golemit. Do të bëhet alternimi, por nuk e kuptoj pse erdhi deri në këtë pikë kritike situata nga Ujësjellësi i Kavajës. Nga ky i fundit pretendohet se Ujësjellësi i Durrësit nuk ka paguar faturat. Po nuk është e vërtetë, pasi ne nuk kemi asnjë debi.
Probleme me ujin e pijshëm ka edhe në qytetin e Durrësit; pse ndodh kjo? 
Sasia e ujit që prodhohet për Durrësin, është për 100 mijë banorë. Popullsia ka shkuar në 350 mijë banorë aktualisht që flasim dhe ka krijuar anomali. Ne po përpiqemi ta menaxhojmë ujin duke shmangur humbjet në rrjet, i cili është i amortizuar.
Po për zonën e Rrashbullit, ku banorët kanë dy muaj pa ujë, çfarë po bëhet? 
Ajo zonë ka qenë problematike në vite. Ne po investojmë në rrjetin e ri të ujësjellësit, që do t’i furnizojë 24 orë. Besoj që për katër ose pesë ditë investimi përfundon dhe ata do të furnizohen normalisht si të gjitha zonat e tjera.

/Romina Qama/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar